
Me një orë e 15 minuta vonesë ka nisur seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, do të paraqesë para deputetëve përbërjen e kabinetit qeveritar, por paraprakisht nuk ka arritur ndonjë marrëveshje politike që do t’i siguronte shumicën parlamentare.
Lëvizjes Vetëvendosje, i duhen së paku edhe pesë vota që të sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 votash për votimin e suksesshëm të qeverisë së re.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 deputetë në Kuvend, ndërkaq përkrahje ka siguruar edhe nga tetë deputetë të komuniteteve jo shumicë.
Para fillimit të seancës së sotme, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate deklaruan se nuk do të votojnë për qeverinë Kurti III.
Të pranishëm në sallë janë 113 deputetë. Gjithashtu në këtë seancë po marrin pjesë edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë. (A2 Televizion)
