Nga Nju Jorku ku ndodhet prej disa ditësh, në një bashkëbisedim me të rinjtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur edhe pyetjeve në lidhje me vendimin e SHBA-ve për pezullimin e Dialogut Strategjik me Prishtinë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës tha se nuk ka pezullim të dialogut strategjik, por disa dallime që ndajnë Kosovën me SHBA dhe kjo ndodhe sipas Kurtit për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës.
“Së pari nuk është së Dialogu Strategjik është pezulluar. Është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë", u tha Kurti të rinjve të pranishëm në sallë.
Në vijim, shefi i qeverisë së Prishtinës e pranoi se marrëdhëniet me Amerikën nuk janë më të mirat e mundshme, duke vendosur theksin vetëm tek Mbrojtja, si një nga pikat ku bashkëpunimi është i shkëlqyer.
Raporti ndërmjet dy vendeve, sipas Kurtit është tridimensional, i ndarë në mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. “Marrëdhënia jone me SHBA-të është në tre dimensione, në tre D. Mbrojtja, Zhvillimi dhe Diplomacia. Të them të drejtën Mbrojtja është më e mira e mundshmja”, tha ai.
“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im. Nuk mendoj se Kosova dhe SHBA kane dallime sa u përket vlerave dhe interesave, e parimeve por po ne kemi dallime kur vjen puna tek taktikat dhe veprimet”, nënvizoi kreu i ekzekutivit kosovar.
Më tej Kurti ia bëri të qartë Brukselit dhe Uashingtonit se ai nuk do të zbutet në raport me kriminelët serbë në Veri, ashtu siç pretendon se kanë bërë paraardhësit e tij në detyrë.
“Unë nuk jam kryeministri që do t’i thotë policisë së Kosovës mos e arresto atë sepse mund të na qortojnë Brukseli dhe Uashingtoni. Nëse e kapin në flagrancë, punë e paqshme nga policia jonë, keq për ta. Dhe unë u dukem shumë ndryshe nga paraardhësit e mi dhe ky është mallkimi i paraardhësve të mi që kanë qenë shumë të butë. Unë jam normal tani, por dukem pak ekstrem, por kjo është prej paraardhësve të mi që nuk ishin normal”, tha Kurti. (A2 Televizion)