Dështon sërish Albulena! Donika Gërvalla nuk votohet as nga deputetja e LVV

Nga Ideal Gola
20 Gusht 2025, 15:37 | Politikë

Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla dështuan të zgjidhen kryeparlamentare në dy votime të ndryshme në vazhdimin e seancës konstituive paraditen e së mërkurës.

Të dy kandidatet e propozuara nuk morën më shumë se 57 vota “për” në votimin që ashtu siç e kërkoi Gjykata Kushtetuese u bë në mënyrë të hapur.

Ajo që ra më shumë në sy ishte fakti që për Donika Gërvallën nuk votoi deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit. Për figurën e këtij të fundit, Gërvalla në vitin 2020 pati drejtuar akuza publike se i përket “botës së krimit”.

PDK, LDK dhe AAK kërkuan sërish nga Vetëvendosje që të kandidojë një figurë të pranueshme për të gjithë për kreun e Kuvendit.

“Ne do të votojmë një kandidat apo kandidate të pranueshme nga radhët e partisë së parë që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit. […] Është e drejtë e tyre të kandidojnë kë të duan por mendoj që është obligim të kandidojnë dikë që zgjidhet, dikush që i merr votat”, tha kreu i PDK-së Memli Krasniqi.

“Ka parti politike parlamentare të cilat kanë dhënë alternativat e tyre dhe janë më shumë se 30 deputetë që do të merrnin votat e partive të tjera politike, nuk është çështja tek numrat, nuk është çështja e një apo dy votave, çështja është që partia e parë nuk ka vullnet për konstituimt të Kuvendit”, deklaroi Hykmete Bajrami nga LDK.

“Ne si parti opozitare kemi ofruar alternativat të cilat nuk i ka pranuar LVV dhe po propozon kandidat me qëllim që të mos marrin shumicën dhe të mos konstituohet Kuvendi”, u shpreh Time Kadrijaj nga AAK.

Lëvizja Vetëvendosje akuzoi partitë e mëdha shqiptare se po koordinohen me Listën Serbe në votën kundër kandidateve të tyre, ndërsa thanë se duhet një tjetër diskutim i brendshëm për emrin e kandidatit të radhës.

Duke qenë e bija e një veprimtari të shquar si Jusuf Gërvalla, nga Lista Guxo thanë se kanë pritur votë nga LDK dhe AAK në favor të Donika Gërvallës.

“Kemi bërë komprisimin ne thellësisht kemi besuar që sot do të ketë reflektim nga opozita, por ja që e pamë që janë në unison të plotë me Listën Serbe, na duhet edhe një herë një diskutim i brendshëm, pra deri në vazhdimin e radhës të seancës konstituive që të shohim se si do të veprojmë tutje”, theksoi Hekuran Murati i LVV.

“Kjo dëshmon se inati e mposht racionalitetin në politikë, inatet dhe xhelozitë nuk munden me i lënë me dal prej pjesës së mllefit që kanë për besimin qytetar që ne kemi edhe një herë shfaq katërcipërisht që ekzistojnë dy blloqe në skenën politike kosovare”, u shpreh Faton Peci nga Lista Guxo.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill ndërsa përfundon pasi të zgjidhet kryeparlamentari dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos