“Osmani e ka shpëtuar Kurtin nga ‘non grata’ në SHBA”, Nazarko: Ofroi mundësinë që Kosova të kishte zgjedhje

Nga A2 CNN
28 Prill 2026, 21:27 | Politikë

Gazetari Mentor Nazarko deklaroi se Vjosa Osmani është personi “që e ka ruajtur boshtin euroatlantik të Kosovës” dhe që “ka shpëtuar edhe zotin Albin Kurti nga shpallja “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Duke folur për situatën politike në Kosovë i ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Nazarko u shpreh: “Në gjykimin tim, afirmimi i Osmanit ishte një bllof minimalisht, por shah real efektivisht që t'i thoshte zotit Kurti, “pse ti nuk e do Osmanin”? Çfarë është Osmani? Pse ai e refuzon Osmanin? Osmani është dikushi që e ka ruajtur boshtin euroatlantik të Kosovës. Bosht të cilin kryeministri ndoshta ka tentuar ta zhvendosë ndonjëherë. E ka shpëtuar edhe zotin Kurti nga shpallja “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka një thashethem të tillë. I ka ofruar mundësinë që të ketë zgjedhje 28 dhjetor. Pra, i ka bërë shumë shërbime, ka funksionuar si një tandem i shkëlqyer, por ndërkohë edhe e ka penguar që ai në Gjykatë Kushtetuese, në diplomaci, në drejtësi, të vendosë vetëm njerëzit që vijnë nga një rrymë politike”.

Nazarko kritikoi edhe opozitën: “Në gjykimin tim, opozita nuk ka luajtur mirë. Përgjegjësinë më të madhe e ka ai që ka shumicën dhe ai është duke shfrytëzuar jomoralisht avantazhet që ka për shkak të shumicës. Çka është më e rëndë është se imazhi i Kosovës është i një vendi që nuk arrin dot të bëjë kompromis së brendshmi, lëre pastaj të bëjë kompromis së jashtmi. Është imazhi i shtetit të papjekur dhe kjo ndodh kur bota s'e ka mendjen fare çfarë është duke ndodhur në Kosovë apo Ballkan. Kështu që, unë mendoj që në këtë situatë përgjegjësia është tek të dy palët. Opozita duhet t'i thërrasë mendjes se përndryshe do qajë ashtu siç bëri vitin që shkoi. Rrezikojmë që edhe në këtë situatë, kurdo që të votohet, në maj, në qershor, në korrik, prapë populli i Kosovës të jetë i bindur që opozita e ka fajin dhe që Kurti ka të drejtë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos