
Pas takimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti me Presidenten Vjosa Osmani, Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku është propozuar Glauk Konjufca si mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes tha se kjo ishte një lëvizje për të nxjerr vendin nga kriza institucionale, por theksoi se Vetëvendosje është gati edhe për zgjedhje.
“Pranova propozimin për mandatar si obligim për të shmangur dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme dhe për të miratuar buxhetin. Ky është kompromisi ynë. Një qeveri pa Albin Kurtin kryeministër është kompromisi më i madh që mund të bëjë Lëvizja Vetëvendosje. Tash e ka radhën opozita për të bërë kompromise. Mos e merrni si frikë nga zgjedhjet, pasi ne jemi gati”, u shpreh ai.
Kryesuesja e Këshillit, Arbërie Nagavci, deklaroi se partia do të bëjë “të pamundurën për të mirën e institucioneve të Kosovës”, duke theksuar nevojën për stabilitet politik pas dështimit të votimit të kabinetit të kaluar.
Ky vendim vjen pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk kishte të drejtë të mandatohej sërish, pasi dështoi të marrë votëbesimin e Kuvendit më 26 tetor.
Në ditët në vijim, pritet që propozimi për mandatarin e ri t’i përcillet presidentes Vjosa Osmani, e cila do të vendosë për dekretimin e kandidatit të Vetëvendosjes. (A2 Televizion)