Pakicat mbështesin Kurtin? 7 deputetë do votojnë pro tij, 3 janë të pasigurt

Nga Rosalba Bejdo
14 Prill 2025, 20:13 | Politikë

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës Elbert Krasniqi, ka thënë se shtatë deputetë nga komunitetet pakicë jo-serbe do të votojnë pro konstituimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne jemi për Qeverinë Kurti për shkak se Kurti i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve. Tash po i relatizojmë numrat, por është 42.3% [numri i votave të LVV-së], është shumë, është thuajse sa të gjithë të tjerët bashkë dhe për neve ky është një vlerësim i qytetarëve të Kosovës i rëndësishëm dhe që duhet të respektohet.”

Pas regjistrimit si deputet në legjislaturën e re, Krasniqi tha për mediat se qëndrim te njëjtë kanë edhe deputetë të tjerë të grupit parlamentar të pakicave jo-serbe.

Mes tyre përveç Krasniqit përfshihen Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike , Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar, Rasim Demiri nga koalicioni VAKAT, dhe përfaqësuesit e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim dhe ata të KDTP-së.

Tri ulëset e tjera të pakicave jo-serbe u takojnë Duda Bales nga Lidhja Socialdemokrate Boshnjake e Kosovës, Adem Hoxhës nga Partia Unike Gorane dhe Veton Berishës nga Partia Liberale Egjiptiane.

Duke folur mediat për Berisha tha se ende nuk ka vendosur se si do të votojë nesër dhe se nuk ka marrëveshje me asnjë parti politike.

Votat e deputetëve nga pakicat joserbe – që kanë dhjetë ulëse nga gjithsej 20 sa u takojnë komuniteteve joshumicë në Kuvend – mund të jenë kyçe për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, votim në të cilin PDK-ja ka thënë se s'do të marrë pjesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos