Pas gati një muaj ka përfunduar mbrëmjen e sotme procesi i numërimit të votave në Kosovë. Vota e fundit që u numëruan sot ishin ato të votimit me kusht dhe personave me nevoja të veçanta, ndërsa më parë janë numëruar votat e Diasporës, ku Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 50% të votave.
Pak më parë në një intervistë për Ditarin e Kosovës në A2 CNN, kur kishin mbetur vetëm dy tavolina për t’u numëruar, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se procesi ka kaluar me transparencë dhe tani i hapet rrugë afateve të tjera para se rezultatet të certifikohen.
“Jemi pothuajse në përfundim të votave nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Procesi ka nisur dje. Janë numëruar mbi 15 500 mijë vota që nga dje. Sipas ligjit KQZ është i detyruar që të presë 48 orë para se të shpallë rezultate përfundimtare të zgjedhjeve për subjektet dhe kandidatë për deputetë. Për 48 orë nga administrimi i fundit i numërimit të paraqiten ankesat. Nëse nuk ndonjë ankesë atëherë shpallet rezultati përfundimtar. Me shpalljen e rezultateve nuk përmbyllet procesi zgjedhor, pasi fillon një afat i ankesave për rezultatin e përgjithshëm. Janë subjektet që mund të paraqesin ankesat dhe nëse palët nuk pajtohen atëherë cëhstja shkon ën gjykatën supreme. Pasi të përfundojnë të gjitha çështjet atëherë KQZ certifikon rezultatin dhe përmbyll rezultatin”, deklaroi Elezi për A2 CNN.
Në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 48 deputetë, PDK, 24, LDK 20, AAK-Nisma 8, Lista Serbe 9, një partia e Nenad Rashit dhe komunitet jo serbe kanë marrë 10 deputetë.
(A2 Televizion)