Marrëveshja e Brukselit, normalizimi i raporteve duket larg edhe pas dy vitesh

Nga Ideal Gola
28 Shkurt 2025, 20:37 | Politikë

Marrëveshja e Brukselit shënoi përvjetorin e dytë pa ndonjë progres të jashtëzakonshëm dhe larg pritshmërisë si një ujdi që do të sillte normalizim e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje, që i parapriu aneksit të Ohrit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2023, ishte trumbetuar si sukses nga ndërmjetësi, Bashkimi Europian.

Serbia dhe Kosova në vazhdimësi kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes dhe Bashkimi Europian ka qenë i pafuqishëm për të adresuar shqetësimet e ngritura gjatë rrugës, shkruan A2 CNN.

“Të dyja palët pothuajse u pajtuan në parim që më mirë është që kjo marrëveshje mos të bëhet se sa të bëhet për shkak se nuk kemi pasur lëvizje të mëtutjeshme”, tha Arbnor Sadiku, njohësi marrëdhënieve ndërkombëtare.

Serbia zgjodhi ta hedh poshtë marrëveshjen përmes një letre të ish-kryeministres Ana Bërnabiç apo kur loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe kanë ndodhur disa sulme në veri, përfshirë Banjskën dhe sulmin në Ibër Lepenc, që Prishtina e fajësoi Beogradin. Në anën tjetër, Kosova është kritikuar për mungesë të iniciativës konkrete për te themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dy vite më pas, Bashkimi Europian ka një shef të ri të politikës së jashtme dhe ka ndryshuar emri i përfaqësuesit për dialog. Kaja Kallas e Peter Sorensen kanë zëvendësuar Josep Borrell e Miroslav Lajçak. Me zhvillimet e reja gjeopolitike, nuk parashihen që nëse palët refuzojnë të respektojnë obligimet, atëherë të ketë alternative të tjera.

“Kompromiset reja mund të jenë që të zbatohet kjo marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit dhe në të njëjtën kohë mund të kthehemi të tema e korrigjimit të kufijve ose tek ndonjë opsion i ri që mund të jetë i paqartë pasi që nuk ka ardhur në tavolinën e bisedimeve”, thotë Sadiku.

Ambasada e Gjermanisë një ditë më parë tha se Serbia dhe Kosova kanë riafirmuar angazhimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Brukselit dhe atë të Ohrit në kontekstin e Planit të Rritjes të BE-së dhe se presin zbatim të plotë të obligimeve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos