Plani “Kurti”, Konjufca: Qeverinë do ta formojmë me partitë joserbe

Nga Erjon Dervishi
10 Mars 2025, 15:24 | Politikë

Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka një plan për formimin e qeverisë së Kosovë. Ajo do të bëjë koalicion me partitë jo serbe. Këtë fakt e ka bërë të ditur Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një prononcim për median italiane “Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa”.

“Siç e keni parë, Qeveria Kurti 2 u formua në bashkëpunim me minoritetet joserbe. Ky është qëllimi ynë, sepse ka pasur ndikim pozitiv në Kosovë, duke parandaluar Listën Serbe, që operon nën ndikimin e Beogradit, që të ketë pushtet vendimtar, siç kishte në qeveritë paraprake”, tha Konjufca.

Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit, dhe sipas rezultateve preliminare, ajo ka fituar 42.27 të votave apo 48 ulëse në Parlamentin me 120 vende.

Konjufca, tha se ka pak të ngjarë që Vetëvendosja të bashkëpunojë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

“Nëse do të jetë e nevojshme ne do të takohemi si udhëheqës dhe të vendosim për hapat e ardhshëm, por sa u përket partive opozitare, ato kanë ndërmarrë një qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft jofer, me akuza jofer dhe me goditje të ulëta”, shtoi ai, raporton A2 CNN.

Subjektet opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit. Por, kreu i Nismës – parti që garoi në koalicion me AAK-në dhe disa parti të tjera – Fatmir Limaj, ka deklaruar se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë aktuale në opozitë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Tani, procesi ka kaluar te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që po trajton ankesat e partive dhe kandidatëve për deputetë. Pas përfundimit të trajtimit të ankesave, KQZ-së do t’i hapej rruga për certifikimin e rezultateve zgjedhore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos