Kërkesat e PDK dhe LDK, Gjykata Kushtetuese u ndalon deputetëve vendimet pas afatit 30-ditor

Nga A2 CNN
24 Korrik 2025, 21:43 | Politikë

Kërkesat e PDK dhe LDK, Gjykata Kushtetuese u ndalon deputetëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka kthyer sot përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së, duke vendosur masë të përkohshme nga e diela 27 korrik deri më 8 gusht.

Kushtetuesja ka lejuar që të rrjedhë afati 30 ditor që përfundon të shtunën. Prej të dielës pastaj Kuvendi nuk ka të drejtë të mblidhet dhe as të marrë vendime.

Në Kushtetuese është edhe një kërkesë e presidentes Vjosa Osmani për të cilën ende nuk është shprehur Kushtetuesja.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur ex officio masë të përkohshme në rastet KO193/25 dhe KO196/25, të parashtruara nga: Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është të përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25.

 Gjykata, më 24 korrik 2025, ka vendosur njëzëri:

TË CAKTOJË ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25;

TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025 në kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025;

T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;

 TË PUBLIKOJ këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 Ky Vendim hyn në fuqi më 27 korrik 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos