I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen e tij javore tregon se në Bruksel është shënuar progres lidhur me çështjen e dinarit serb.
“Ne diskutuam mundësinë e një zgjidhjeje të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për veprimet me para të gatshme dhe besoj se ia kemi dalë të ngushtojmë dallimet”, shkruan ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd.
Lajçak thekson se do të presë sërish në Bruksel kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviç.
“Pres nga ata që bisedimet t’i përqendrojnë në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësojnë ne që të lëvizim përpara në të mirë të njerëzve”, shkruan Lajçak në Facebook.
Përkundër këtyre informacioneve të reja të ndërmjetësuesit, Bislimi dhe Petkoviç dolën me qëndrime të tjerë në takimin e javës së kaluar.
Ata shkëmbyen akuza të ndërsjella duke pretenduar se në tryezë nuk ka asnjë lëvizje nga qëndrimet për çështjen e dinarit serb. (A2 Televizion)