‘’Serbia testoi dronët iranianë’’, Osmani përplaset me Vuçiç në OKB

Nga Rosalba Bejdo
22 Prill 2024, 20:59 | Politikë

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB, ku u diskutua raporti 6-mujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB,  Antonio Guterres për punën e UNIMIK-ut, tonet ishin të nxehta.

Presidentja Vjosa Osmani u përplas jo vetëm me homologun serb, Aleksandër Vuçiç, por edhe me ambasadorin e aleatit të tij të ngushtë të tij, Rusinë, të cilët protestuan kundër pranisë 4 pjesëtarëve të delegacionit të Kosovës, 4 të mbijetuara të luftës.  

“Dua të flas për diçka që ka ndodhur për herë të parë këtu. Zonja Osmani ka sjellë me vete njerëz që nuk janë as pjesë e trupit diplomatik e as e këshilltarëve. Ky është teatër politik”, tha Vuçiç.

Teksa Osmani u përgjigj: “Përveçse aktiviste të drejtësisë, gratë që kam marrë me vete janë gjithashtu pjesë e kabinetit tim”.

Gjatë fjalës së tij, Vuçiç ripërsëriti pretendimet se serbët në Kosovë jetojnë nën presionin e vazhdueshëm, përndjekjen dhe shantazhimin e atij që e quajti regjimi shovinist i Kurtit. Ai theksoi se vendimi për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb e kishte vështirësuar jetën e tyre, ndërsa justifikoi bojkotin e referendumit për kryetarët në veri me pretendimin se autoritetet e Prishtinës kishin rritur artificialisht numrin e votuesve shqiptarë.

Vuçiç akuzoi Kurtin se po minon stabilitetin rajonal dhe se po ndërhyn në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.

“Elita politike në Prishtinë nuk e sheh demokracinë si një vlerë.  Obsesioni i tyre është konsolidimi me çdo kusht i atij që shohin si shtet i pavarur. Dhe po e çojnë përpara këtë projekt duke përndjekur serbët. Anëtarët e këtij këshilli duhet ta dinë se Kurti nuk është këtu sot sepse është i zënë me minimin e stabilitetit rajonal, duke qenë se është krye të fushatës së partisë së tij në Maqedoninë e Veriut. Dhe imagjinoni,  politikani më i famshëm atje është Vuçiç edhe pse nuk ka bërë asnjë fushatë atje. Ndërhyrja në politikën atje nuk është politikë e Serbisë por e Albin Kurtit.

Sakaq, presidentja Vjosa Osmani replikoi se ishte e vërtetë që serbët e Kosovës ishin nën presion, por jo nga qeveria në Prishtinë, por ajo në Beograd.

Osmani tha se serbët e integruar në institucionet e Kosovës janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit të kryer prej strukturave ilegale serbe. Ajo akuzoi Serbinë për një sërë përpjekjesh destabilizuese, përfshirë përmes stërvitjes së madhe ushtarake pranë Kosovës pak ditë më herët, ku siç tha u përdorën dronë iranianë.

“Përgjatë viteve të fundit, Serbia përshkallëzoi agresionin kundër Kosovës, fillimisht duke rrëmbyer policët tanë e më pas duke sulmuar gazetarët dhe ushtarët e NATO. Kulmimi ishte sulmi terrorist në 24 shtator në Banjskë. Më pas, siç vërejti dhe SHBA, Serbia pozicionoi një prani të madhe ushtarake pranë kufirit me artileri dhe tanke. Vetëm pak ditë më parë u testuan dronët iranianë pranë kufirit, këto janë mesazhet që u çojnë ata fqinjëve të tyre. Autorët e sulmeve në Banjskë jo vetëm që nuk janë dënuar, por kanë siguruar edhe kontrata të majme financiare nga Beogradi”, tha Osmani. 

Presidenti Vuçiç mohoi që Serbia të zotëronte dronë iraniane, dhe theksoi se pavarësisht gënjeshtrave për qëllimet pushtuese, siç i quajti, Serbia ishte e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos