Një përplasje e fortë mes Kosovës dhe Serbisë ka ndodhur në samitin e Brdo-Brijunit në Durrës. Presidentja Vjosa Osmani, lëshoi akuza të ashpëra në drejtim të Aleksandër Vuçiç.
“Vuçiçi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë me tentimin që të prishë takimin. Arritëm në fund që të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet dhe natyrisht për çdo propagandë që Vuçiç synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme. Argumentet në anën e së drejtës dhe ato që janë fuqizuar edhe nga e drejta ndërkombëtare. Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por të njëjtën kohë do të mbrojmë interesin tonë shtetëror, do të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial. Edhe pse Vuçiq kishte ankesa për paktin tonë dhe marrëveshjen e përbashkët Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes. Ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës tonë si komb, ne askund nuk kemi sulmuar dhe pushtuar askënd, por gjithnjë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten. Aleancat tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë konkret, rreziku vjen nga Serbia”, tha Osmani.
Presidenti serb, teksa u përpoq të justifikonte sjelljen e tij, zbuloi se ajo që e kishte irrituar ishte fakti që liderja e Kosovës i kishte treguar kufirin që ndan të dyja shtetet.
“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial dhe pastaj ju kthehet barku përmbys, dhe të gjithë të tjerët dëgjojnë kështu, duke tundur kokën, shikoni çfarë gjëje të zgjuar tha. Pastaj kujtojmë ditët e saj të turizmit në OKB dhe i uruam shumë më tepër turizëm në jetën e saj dhe do të vazhdojmë me këtë. Por këtu nuk ka shtete, ne merremi vetëm me emra, kështu që kjo është diçka që është një trashëgimi e mirë e këtij procesi”, u shpreh Vuçiç.
Përplasjet mes presidentes Osmani dhe Vuçiç kanë nisur kohët e fundit që nga samiti i Komunitetit Politik Europian, kur udhëheqja e Kosovës e shënjoi me gisht si një aktor destabilizues që kërcënon rajonin e Ballkanit Perëndimor, ashtu si Rusia mbarë Europën.
Në kundërpërgjigje, presidenti serb konfirmoi se vendi i tij po përgatitet për luftë, duke konfirmuar alarmin që autoritetet në Prishtinë e kanë lëshuar prej kohësh.
(A2 Televizion)