Moskonstituuimi i Kuvendit, Kurti: Humbje kohe, serbët nuk janë vetëm në Listën Serbe

Nga Ideal Gola
2 Tetor 2025, 19:59 | Politikë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet ta kishte konsideruar të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe të lejonte funksionimin normal pas zgjedhjes së 4 nga pesë nënkryetarët e saj.

Në paraqitjen e parë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara ku qëndroi për vizitë, Kurti u shpreh i shqetësuar me mosfunksionimin e Parlamentit.

“Konsideroj se është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Kosovës. Kuvendi e ka zgjedhur kryetarin, ka zgjedhë katër nënkryetarët, Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalen dhe Emilja Rexhepin, askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb”, theksoi Kurti.

Nga Shtimja ku qëndroi për përurimin e një çerdheje, Kurti tha se zgjedhja e nënkryetares tjetër nga komunitetet pakicë, Emilja Rexhepi nuk duhet të kontestohet procedurialisht.

Ai shtoi se serbët nuk janë vetëm në Listën Serbe duke sugjeruar që kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, mund të jetë nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

“Emilia Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Rexhepin të anulohet, prandaj ne kemi mbetur te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb, po mos harroni nuk janë serb vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe mori vetëm dhjetë vota e Rashiq mori 56, veç pesë vota t’ia jepnin këta 52 që janë të opozitës sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje”, u shpreh Albin Kurti.

Gjykata Kushtetuese konsideroi se Kuvendi nuk është i konstituuar duke urdhëruar deputetët që të vazhdojnë seancën konstituuive për të zgjedhur edhe nënkryetarin e pestë nga komuniteti serb.

Para se deputetët të rikthehen në Parlament duhet pritur publikimi i aktgjykimi të plotë nga ana e gjykatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos