“Rusia dhe Serbia, kërcënim”, Osmani: Vuçiç kopjon Putinin, përdor teknika të agresionit dhe destabilizimit

Nga Rosalba Bejdo
2 Tetor 2025, 22:32 | Politikë

“Rusia dhe aleatja e saj, Serbia, paraqesin kërcënim për Kosovën dhe Europën”.

Është mesazhi që përcolli Presidentja Vjosa Osmani nga Danimarka, ku mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, shkruan A2.

Osmani i kërkoi Bashkimit Evropian që të mos “e shpërblejë Beogradin”, i cili, siç tha, kopjon veprimet e Moskës.

“Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave ajo vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia e përkrah Serbinë në këto veprime. Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për ‘Rusinë e Madhe’ dhe ‘Botën Ruse’, Serbia për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Botën Serbe’ dhe përdorin të njëjtat metoda. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, deklaroi Osmani.

Osmani paralajmëroi më tej se vakuumi i ndikimit perëndimor në rajon do rrezikojë të shfrytëzohet nga “forcat malinje të ‘Trekëndëshit të Ligësisë’, siç i quajti Rusinë, Kinën dhe Iranin.

“Ato gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por kanë interesa dashakeq strategjikë. Prandaj është e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara dhe Ballkani Perëndimor, ato shtete të rajonit që i plotësojnë kriteret dhe punojnë me vlerat e BE-së, duhet të merren parasysh që të lëvizin përpara”, u shpreh Presidentja e Kosovës.

Sipas Osmanit, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka tentuar që ta kopjojë udhëheqësin rus, Vladimir Putin, “duke përdorur taktika të agresionit dhe destabilizimit ndaj fqinjëve dhe për këtë arsye është e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin me Rusinë nuk është rruga përpara.

Më vonë, në samitin në Kopenhagë, Osmani u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ajo tha në Facebook se Ruttes ia theksoi rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos