'Themeloni Asociacionin', pas Francës, SHBA presion Kurtit për komunat me shumicë serbe

Nga Erjon Dervishi
24 Prill 2024, 21:32 | Politikë

Pas Francës, janë Shtetet e Bashkuara të cilat i kanë kërkuar Kosovës që të shpejtojë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, gjatë një takimi të zhvilluar në Gjermani me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Kosova të zbatojë zotimet në lidhje me dialogun për nomalizmin e raporteve me Serbinë.

Mesazhin e tij, O’Brien e ka publikuar në rrjetin social X.

“SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të lëvizur përpara ne na duhet zbatimi i zotimeve të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, përfshirë edhe përparimin urgjent sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sot diskutova me kryeministrin Kurti për hapat pozitivë që janë të nevojshme”, shkroi ai në X.

Sakaq ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, që ishte i pranishëm në këtë takim, tha po ashtu se SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia "të përmbushin të gjitha obligimet" e dialogut të Brukselit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos