Serbia me kërkesa të “frikshme”, Lajçak, Bislimi dhe Petkoviç 7 orë të tensionuara për dinarin

Nga Xhevahir Qardaku
25 Prill 2024, 20:02 | Politikë

Serbia me kërkesa të “frikshme”, Lajçak, Bislimi

Ka përfunduar pa rezultat edhe takimi i gjashtë me radhë për çështjen e dinarit serb në Bruksel. Ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, pas 7 orëve në tryezë dhe një propozimi të ri, nuk arriti të vuloste një zgjidhje mes kryenegociatorëve.

Përfaqësuesi i Kosovës, Besnik Bislimi, e quajti shqetësues qëndrimin e palës serbe për transferimin e parave nga Beogradi për serbët e Kosovës.

“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen deri në krijimin e asociacionit”, tha ai.

Bislimi sqaron se me këtë qëndrim, Beogradi kërkon që asociacioni të jetë një mekanizëm i Serbisë në Kosovë dhe jo i qytetarëve. Kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, konfirmoi se biseda në takimin trepalësh ishte e tensionuar.

“Unë dhe ekspertët patëm mundësinë që të paraqesim propozimet tona për idetë e BE-së dhe për të zgjidhur çështjen e dinarit, sepse me atë vendim, Kurti kërcënoi mbijetesën e popullit serb”, u shpreh Petkoviç. Takimi i radhës do të jetë në mesin e majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos