Samiti kundër diskriminimit racor, Kurti: Ligj për mbrojtjen e komuniteteve, forca jonë në diversitet

Nga Rosalba Bejdo
26 Nëntor 2024, 20:42 | Politikë

Nën sloganin “Forcë në diversitet – Një shoqëri pa diskriminim racor”, është mbajtur në Prishtinë Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor. Gjatë samitit u tha se komunitetet rome, ashkali e egjiptiane në Kosovë dhe Rajon vazhdojnë të mbeten të diskriminuar. Pavarësisht hapave të rëndësishëm të ndërmarrë nga qeveria e Kosovës për tu ofruar këtyre komuniteteve mundësi të barabarta mbetet ende punë në përfshirjen e tyre më të madhe në arsim e shëndetësi. Kryeministri Albin Kurti, që ishte i pranishëm në samit, tha se po hartonin një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi.

Ndërkaq, Ambasadori i Zvicrës ne Kosovë, Jurg Sprecher theksoi se qeveria e tij ka mbështetur komunitetet përmes programeve të ndryshme por se një hulumtim I fundit, tregoi se ende ka qëndrime diskriminuese ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

“Pavarësisht punës së qeverisë diskriminimi racor vazhdon që të mbetet sfidë në vendet e Ballkanit e në Kosovë. Statistikat janë shqetësuese, dhe na tregojnë se një pjesë e madhe komunitetit rom ashkali dhe egjiptian ende diskriminohen. Kjo vërehet kryesisht në arsim, punësim dhe mbështetje sociale. Gratë rome në mënyrë disproporcionale, përballen me martesat e dhunshme dhe mungesë të arsimit. Këto çështje duhet të adresohen urgjentisht”, theksoi ambasador i Zvicrës në Kosovë Jürg Sprecher.

Gjatë samitit u përcoll mesazhi se transformimi mund të bëhet i mundur vetëm nëse paragjykimet dhe stereotipat zëvendësohen me respekt dhe diversitet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos