Mazhoranca dhe opozita kanë lexuar në mënyra të ndryshme progres raportin e Komisionit Europian për Kosovën. Nëse partia në pushtet tha se raporti thekson progresin e arritur, opozita e akuzoi për izolim të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje tha se raporti evidenton përparimin e Kosovës në fusha të rëndësishme që përfshijnë reformat institucionet, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.
“Në shumë fusha ne kemi kaluar një hap më lartë në shkallët e progresit siç janë lufta kundër korrupsionit, reforma e administratës publike, politikat ekonomike dhe monetare funksionimi i ekonomisë së tregut, arsimi dhe kultura, politika sociale dhe punësimi”, tha deputetja e Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se të dhënat në raport janë shumë shqetësuese, sidomos ato që lidhen me centralizimin e çështjeve tek pushteti ekzekutiv, reformat në gjyqësor si dhe cenimi i lirisë së shprehjes.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit fliste për kërcënim serioz në qeveri, ndërkohë që Komisioni Evropian flet për centralizim të pushtetit atëherë kjo përkthehet se Kosova të vetmen rrugë që e ka zgjedhur dhe kjo qeveri është izolimi, autoritarizmi dhe përpjekja për fundin e demokracisë dhe kjo normalisht që nuk do të lejohet”, tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Për Lëvizjen Vetëvendosje pati akuza se po manipulon me raportin duke e paraqitur si pozitiv për vendin.
“Realiteti është shumë më i keq sesa raporti se çka flet atje. Cilindo sektor, hajdeni nisemi prej raportit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës, vendi kurrë nuk ka qenë më i izoluar”, tha deputeti i pavarur Haki Abazi.
Seanca ndërpreu punimet pas pauzës pasi deputetet e mazhorancës nuk u rikthyen në sallë ndërsa u vendos që punimet e së njëjtës seancë të vijojnë të hënën. (A2 Televizion)