Agjencia e Statistikave të Kosovës zbulon shifrat në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Avni Kastrati, Agjencia e Statistikave të Kosovës, tha: “Të regjistruarve deri më sot ju kemi ofruar rreth 900 mijë edhe besojmë që siç e cekëm më parë do të jemi në kohë. Deri më tani janë regjistruar mbi 891 mijë banorë të Kosovës”.
Procesi po zhvillohet pa probleme dhe brenda pritshmërive. Madje, vlerësohet se Kosova i ka respektuar standardet ndërkombëtare për regjistrime dhe është në kuadër të linjave të rekomandimeve ndërkombëtare. I vetmi problem që paraqitet deri më tani është bojkoti që po bëhet në veri nga anëtarët e komunitetit serb, të cilët pas urdhërit të Listës Serbe, duken të frikësuar.
“Komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive, ka një regjistrim të disa ekonomive familjare, individëve, por është numri i vogël në bazë të atyre që ne pretendojmë. Ne kemi pas diskutim me disa institucione ndërkombëtare dhe sigurisht ata do t’i transmetojnë atë që ne u kemi transmetuar komunitetit serb në veri. Është një e mirë edhe për ata për të ditur numrin e tyre që jetojnë në ato komuna. Mospjesëmarrja në regjistrim nuk ekziston. I bëjë thirrje komunitetit serb se procesi nuk është aspak politik. Duhet ta dinë për shërbime kush jeton, çfarë strukture e popullsisë, çfarë statusi i punësimit, çfarë niveli i edukimit gjithë këta indikator vijnë nga regjistrimi. Është në të mirë të vetë komunitetit”, thotë Kastrati.
Ndër të tjera, kreu i Agjencisë së Statistikave të Kosovës njoftoi se komuniteti serb në komunat në jug të vendit po merr pjesë rregullisht në censin e regjistrimit. Ky proces do të zgjasë deri më 17 maj, ndërsa të dhënat paraprake do të publikohen në qershor të këtij viti. (A2 Televizion)