Kosovës mund t’i kërkohet që të bëjë hapa konkretë rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në këmbim të pranimit të plotë në Këshillin e Evropës.
Këmbanat po dëgjohen pas telefonatave të kryeministrit Kurti me dy liderët evropianë, Presidentin francez Macron dhe kancelarin gjerman Scholz. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk do të dërgojë draft-statutin në Gjykatë Kushtetuese para votimit që do të mbahet në nivel ministrash të Këshillit të Evropës muajin e ardhshëm.
Armend Muja, deputet i LVV-së, tha: “Unë besoj që Kosova i ka përmbushur kushtet dhe me datën 17 (maj), siç është lajmëruar votimi, ne duhet të besojmë që Kosova do të jetë anëtare e re e Këshillit të Evropës”.
Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK e LDK, thanë se çështja e Asociacionit mbetet nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës, e cila duhet të tregohet e kujdesshme në javët në vijim.
Blerta Deliu Kodra, deputete e PDK-së, shprehet: “Çështja e dorëzimit apo mos dorëzimit të draftit të Asociacionit (në Kushtetuese) nuk është çështje e opozitës, është çështje e Qeverisë së Kosovës. Qeveria duhet të jetë e përgjegjshme karshi nevojës për t’i dhënë epilog edhe zhvillimeve të cilat do t’i kemi së shpejti në Këshillin e Evropës”.
Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, thekson: “Ne si delegacion i Kosovës në Këshillin e Evropës kemi kryer punën tonë dhe konkluzioni ka qenë raporti që është votuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili nuk ka asnjë parakusht”.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se Asociacioni nuk ka qenë asnjëherë kusht dhe Kosova meriton të marrë ftesën për të qenë anëtare e KiE. Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i AAk-së, tha: “Asociacioni në raport nuk është kusht, ajo i lihet në diskrecion komitetit të ministrave. Qeveria duhet të ketë shumë kujdes, që anëtarësimi i Kosovës është paradhoma e integrimit euroatlantik. Do të thotë është hap natyral para anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në BE”.
Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të mblidhet në mesin e muajit maj, kur Kosova shpreson të kalojë edhe votimin final për anëtarësim në këtë institucion. (A2 Televizion)