"Serbia e Vuçiç po ndërhyjnë në zgjedhje, në Kosovë", Kurti thirrje BE-së: Ndëshkoni Beogradin!

Nga A2 CNN
7 Tetor 2025, 12:51 | Politikë

"Serbia e Vuçiç po ndërhyjnë në zgjedhje,

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti akuzoi sot Beogradin zyrtar se po tenton të ndërhyjë në zgjedhjet lokale të së dielës në Kosovë. Ai i kërkoi Bashkimit Europian që të sanksionojë Serbinë për shkak të shkeljes së parimeve të fqinjësisë së mirë dhe shkeljen e marrëveshjes bazë të Brukselit.

“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi në beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërore të Serbisë se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë siç bëri së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit atje, Millosh Vuçeviç, e siç ka bërë edhe vet presidenti i Serbisë, Vuçiç, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë. Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i BE në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrje e Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet e shteteve të tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. E me gjithë këto Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Europian andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia tani në zgjedhjet në Kosovë është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Europë”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Kreu i ekzekutivit të Prishtinës tha se Serbia nuk po ndryshon sjellje pasi nuk po ka pasoja për veprimet e saj.

“I bëjmë thirrje BE që ta dënojnë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionojë Serbinë shtet ky kandidat për anëtarësim në BE për veprime të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin marrëveshjen bazë të Bruskelit”, theksoi Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos