Bashkimi Europian mbron ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak. Zëdhënësi Peter Stano nuk e konsideron të dështuar punën e lehtësuesit në dialog dhe në pajtimin e Kosovës dhe Serbisë, por faji qëndron mbi palët, pasi, sipas tij, nuk po kërkojnë normalizimin e raporteve.
“Kemi një mësim të qartë këtu: nëse palët nuk kanë dëshirë për të lëvizur përpara, sigurisht askush nuk është në gjendje t’i detyrojë ata. Roli ynë si BE në dialogun Prishtinë-Beograd është që të lehtësojmë bisedat, t’i ndihmojmë ata që të bëhen europianë, që të sillen si europianë dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi për çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që ata nuk kanë qenë në gjendje për të ecur përpara në procesin e normalizimit nuk është nga dështimet e BE si lehtësues, por nga dështimi i palëve për të zbatuar atë që kanë pranuar”, tha zëdhënësi i BE.
Stano tha se nuk është korrekte të thuhet se ka dështim në arritjen e marrëveshjes, sepse palët nuk e kanë firmosur paktin e Ohrit. Kjo marrëveshje, sipas tij, është bërë pjesë dhe kusht për anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në BE. Sërish u kthye në mbrojtjen e Lajçakut, duke hedhur poshtë pretendimet se ndërmjetësuesi ka bërë veprime të gabuara në dialog.
“Disa anëtarë të Parlamentit Europian që mund të kenë pikëpamje kritike. Por dëgjojmë gjithashtu të tjerë që nuk kanë një pikëpamje kaq kritike për atë që po bën BE-ja ose Lajçaku dhe Borrell. Mendoj se ka të bëjë shumë edhe me përkatësinë politike partiake. Por, ajo që dëgjojmë në mënyrë shumë tingëlluese është se sa herë që ka diskutime të BE-së për dialogun e Kosovës me Serbinë, ka një mbështetje dhe vlerësim të madh të shteteve anëtare të BE-së”, deklaroi Stano.
Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë, duke cituar një përgjigje nga Stano, raporton se takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb, do të jetë rasti i fundit për të arritur një zgjidhje. (A2 Televizion)