William Burns u shfaq në një rajon të nxehtë të Europës. Ai të martën qëndroi në Sarajevë në disa takime me udhëheqës të vendit.
Në po të njëjtën ditë ai shkoi në Beograd, ndërsa nuk dihej me siguri nëse do të vinte edhe në Prishtinë. Megjithatë, në Prishtinë erdhi dhe qëndroi më gjatë për t’u takuar me dy krerët e vendit – Presidenten Osmani fillimisht dhe të nesërmen edhe kryeministrin Kurti. Osmani shkroi se aleanca me SHBA-në është garancë për siguri, paqe e sukses, ndërsa Kurti vizitën e cilësoi historike dhe dëshmi e marrëdhënieve të forta mes dy shteteve, si dhe pati komplimente për William Burns.
Kreu i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës nuk bëri ndonjë koment publik gjatë kësaj vizite.
Burns dje arriti në aeroportin e Prishtinës dhe lajmi për ardhjen e tij erdhi nga mediat që kapën pamjet e autokolonës së tij që ishte nisur për në Presidencën e Kosovës. Ai mbajti një takim me presidenten Vjosa Osmani ku prezent ishte edhe shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Presidenca e Kosovës dhe as vetë presidentja deri më sot nuk publikuan asgjë nga takimi me Burns. Osmani sot, në të larguar të shefit të CIA-s, publikoi pamje nga takimi derisa shtoi se “aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses!”.
“Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns.
Kjo vizitë e Burns në Kosovë erdhi në mesin e kritikave të ashpra që zyrtarët amerikanë ia bënë Qeverisë së Kosovës, e cila së fundi këmbënguli në hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve – një veprim që nuk u rekomandua të bëhet tani nga aleatët kyçë të Kosovës, përfshirë SHBA-në, nga droja se mund të nxiten tensione të reja në veri të vendit.
Veprimet e Qeverisë u panë si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.
Po ashtu, këtë kohë shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, ishte në SHBA për të marrë pjesë në Koventën Kombëtare Demokratike. Vizita e tij atje u përcoll me shumë kritika në Prishtinë nga opozita e analistët për shkak të mungesave të takimeve me zyrtarë aktualë të administratës aktuale.
Megjithatë, kritikat nuk i erdhën vetëm nga ta. Ishte edhe vetë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, që i përsëriti deklaratat se qeveria amerikane është sfiduar nga Kurti dhe qeveria e tij, ndërsa ditë më parë e kishte theksuar se ftesa e Kurtit për në SHBA i kishte shkuar nga NDI dhe jo nga qeveria amerikane.
“Ne po përballemi me disa sfida të caktuara me Qeverinë e tanishme të Kosovës dhe këto sfida kanë ndikuar absolutisht në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”, tha Hovenier të mërkurën në një konferencë të përbashkët me presidenten Osmani.
Për dallim nga Presidenca, Zyra e Kryeministrit nuk e vonoi shumë komunikatën për takimin.
Në përgjigje të kritikave për mungesën e takimit Kurti-Burns dje, aty u theksua shumë herë se vizita e shefit të CIA-s tregonte për “marrëdhënie të forta” mes dy shteteve.
“Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n. Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”.
Duke mos dhënë shumë detaje mbi tematikat e diskutuara në takim, zyra e kryeministrit tha se Kurti u zotua para Burns se do t’i ketë vlerat amerikane shtylla të qeverisjes.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.
Nga zyra e tij u tha, gjithashtu se kryeministri Kurti e informoi Burns me “rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik.
Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. (A2 Televizion)