Shefi i CIA-s në Prishtinë, Osmani dhe Kurti: Për çfarë e njoftuam

Nga Xhevahir Qardaku
23 Gusht 2024, 14:49 | Politikë

Në kryeqytetin e Kosovës qëndroi për dy ditë një mysafir i rëndësishëm në atë që po konsiderohet, një vizitë historike.

Zyra për shtyp e kryeministrit Albin Kurti sqaroi se në takimin me William Burns konfirmoi përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n, raporton A2. 

Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.

Kryeministria e Kosovës

Shefi i Agjencisë Qëndrore Amerikane të Inteligjencës u takua në Kosovë dhe me presidenten, Vjosa Osmani. Kjo e fundit ka ndarë në rrjetin social X dhe imazhet e takimit dhe një mesazh.

Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns.

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Gjithashtu A2 raporton që kreu i CIA-s amerikane ka vizituar dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Ndërsa më pas është larguar nga Kosova. Më herët, Burns ka zhvilluar takime dhe vizita, thuajse sekrete edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi./A2 (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos