Policia e Kosovës ka nisur që të mbledhë informacione lidhur me keqpërdorimet e mundshme të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut, thanë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
“Policia është duke grumbulluar informacione lidhur me pretendimet për keqpërdorim të votave në këtë lokacion”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.
Njoftimi vjen dy ditë pasi Kosova organizoi rundin e parë të zgjedhjeve lokale. Sipas rezultateve preliminare, kjo komunë do të shkojë në balotazh.
Diferenca në vota mes dy kandidatëve të parë për kryetarë komune, Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje, është shumë e vogël.
Për këtë komunë ka pasur dallime mes sondazheve fillestare, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatit preliminar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prandaj, më pas në opinion janë shfaqur pretendime për keqpërdorime të mundshme të votave.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili njëherësh është kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, një ditë pas zgjedhjeve ftoi organet e drejtësisë që të nisin hetime lidhur me exit poll-et e publikuara për zgjedhjet.
Mirëpo, Kurti u kritikua nga pjesëtarë të shoqërisë civile për këtë deklaratë.
Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, shkroi në Facebook se është “i pasaktë” deklarimi i Kurtit se publikimi i sondazheve ishte ndërhyrje në procesin zgjedhor, duke argumentuar se ato u publikuan pas përfundimit të votimeve.
Kusari u bëri thirrje organeve të ndjekjes që “të qëndrojnë sa më larg idesë të hetimit të raportimeve dhe kompanive që bëjnë exit poll-e”.
Ajo tha se këto kompani të sondazheve duhet të paguajnë “me kredibilitet, ashtu siç duhet të paguajnë me kredibilitet moderatorët e emisioneve që na kanë ofruar informacione të pasakta, sidomos nëse i angazhojnë përsëri të njëjtat kompani”.
Ndryshe, KQZ-ja ka thënë se beson që gjatë kësaj jave do të përmbyllë procesin e numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet lokale.
Sipas rezultateve aktuale, 21 komuna kanë zgjedhur kryetarët e tyre që në rundin e parë, ndërkaq 17 të tjera shkojnë në balotazhin e 9 nëntorit./ REL (A2 Televizion)