Shkëmbimi i territoreve me Serbinë, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk duhet të vihet në diskutim sipas qeverisë së Kosovës. Ajo thotë se ka qenë dhe mbetet kundër një ideje të tillë.
“Qeveria e Kosovës refuzon projekte dhe zgjidhje me karakter territorial”, shprehet zëdhënësi Përparim kryeziu për Radion Evropa e Lirë. Çështja është rikthyer në vëmendje pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Në administratën e tij të parë, nga 2017-2021 ka pasur disa zyrtarë, si këshilltari për sigurinë John Bolton, që nuk e kanë përjashtuar opsionin e “korrigjimeve territoriale” mes Kosovës dhe Serbisë.
Kandidatja për komisionere të zgjerimit në BE, Marta Kos, u deklarua kundër një ideje të tillë javën e kaluar. (A2 Televizion)