“Shtëpia nuk lihet pa zot shtëpie”, Kurti: Opozita e pamatur, po shkakton vakum institucional

Nga Rosalba Bejdo
16 Prill 2025, 18:02 | Politikë

Kërkesa dhe këmbëngulja e partive opozitare për ta lënë “shtëpinë pa zot” janë të pamatura dhe rrezikojnë vakum institucional. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti një ditë pas dështimit të seancës konstituive të parlamentit, teksa partitë opozitare kërkuan nga kryeministri dhe kabineti qeveritar që të japin dorëheqje formale, për ta votuar raportin për verifikimin e mandateve të tyre si deputet.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se në të kaluarën kryeministrat e partive të tjera kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re, pavarësisht parregullsive. Por, siç u shpreh ai Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt po i kërkohettë largohet nga zyrat e saj.

“Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare, PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputet. Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht të marrin mandatin e deputetit, po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Ky kabinet qeveritar është në detyrë dhe efektivisht i dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur edhe e kemi përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë katërvjeçar... Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezik i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim, për të thënë së buti i pa matur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë, shtoi më tej se pavarësisht thirrjeve të papërgjegjshme opozitare për pezullim të shtetit në seancën konstituive, sipas tij shteti funksionon. Kurti pohoi se janë të interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet e legjislaturës së nëntë.

“Si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025jemi shumë të interesuar që të ecim përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë dhe atë sa më parë, menjëherë. Si qeveri në detyrë jemi shumë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm që të mos lejojmë vakum institucional jo për një ditë, jo për një orë, por për asnjë minutë të vetme. Përkundër thirrjeve të papërgjegjshme opozitare dje për pezullim të shtetit, shteti funksionon”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, edhe mbledhja e mbajtur e mbajtur këtë të mërkurë është detyrim, sipas ligjit, pasi sipas tij, "shteti nuk mund të ketë vakum në qeverisje, qeveria nuk mund të ketë ndalesë funksionimi". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos