Situata politike në Kosovë, sytë nga Kushtetuesja e mendjen te zgjedhjet

Nga A2 CNN
6 Qershor 2025, 20:19 | Politikë

Kuvendi i Kosovës ka hyrë në një cikël dështimesh të paprecedentë për t’u konstituuar me mungesën e zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Partitë tashmë i kanë sytë nga Gjykata Kushtetuese që të sjellë një interpretim nëse kalimi nga votimi i hapur në të fshehtë përbën shkelje ose jo. 

Për këtë kërkesë të dorëzuar më 12 maj nga një grup deputetësh, Kushtetuesja pritet të marr vendim brenda 60 ditësh. 

Së fundmi, presidentja Vjosa Osmani ftoi partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale, prej ku doli edhe ideja që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në të njëjtën datë.

“Çelësi i zhbllokimit është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje e cila siç po duket po shkon drejt skenarit të zgjedhjeve të përbashkëta lokale dhe atyre të jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës me shpresën që do t’i vë fajin partive opozitare e pastaj mund të rrisë përqindjen me shpresën që ta krijojë e vetme qeverinë”, tha Valdet Hoxha.

Ndryshe nga Lëvizja Vetëvendosje që e sheh si alternativë që në një ditë të ketë dy palë zgjedhje, partitë e tjera nuk e kanë mbështetur.

Edhe njohësit e proceseve zgjedhore janë kundër idesë që të ketë dy palë zgjedhjesh njëherazi. Procedurat e ndërlikuara, me tri nivele kandidatësh dhe menaxhimi i gjithë procesit nga fushatat e deri te votimi shihet si rrezik për cilësinë e proceseve zgjedhore.

“Është mirë që t’i ndajmë zgjedhjet e përgjithshme, të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës e pastaj të maten forcat në zgjedhjet lokale të cilat janë zgjedhje për qytetarin, në interes të qytetarit për nevoja praktike të qytetarit dhe nuk është mirë të ngatërrohen me zgjedhjet e nivelit nacional të cilat janë të një karakteri tjetër”, shton Hoxha.

Ndërsa pritet epilogu i krijimit të institucioneve të reja qendrore, shtetasit kosovarë me të drejtë vote pritet t’i drejtohen kutive të votimit në vjeshtë për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe këshilltarët komunalë. 

Si data të mundshme për zgjedhjet lokale konsiderohen 12 dhe 19 tetori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos