Saga e dështimeve, VV kushtëzon me nënkryetarët, LDK kundër zgjedhjeve

Nga A2 CNN
5 Qershor 2025, 18:17 | Politikë

Saga e dështimeve të konstituimit të Kuvendit të Kosovës vijoi edhe të enjten me deputetët që dështuan sërish të votojnë për komisionin për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë.

Pas qëndrimeve të partive të tjera që nuk e pranojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi kushtëzim për emrat e nënkryetarëve të Parlamentit nga këto parti që duhet të zgjidhen menjëherë pas kryeparlamentarit.

“Është qëndrim i yni që nuk do të votojmë asnjë emër tjetër për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së përveç Nait Hasanit dhe Sala Jasharit. Ndërkohë që edhe ne kemi vendosur reciprocitet ndaj LDK-së dhe nuk e pranojmë asnjë propozim nga ana e tyre”, tha Arbëreshë Kryeziu.

Partia Demokratike konsideroi ngërçin si arsyetim për mungesën e numrave për votimin e Qeverisë.

“Me gjasë duke mos i pasur numrat që ta bëjnë qeverinë, kanë vendosur që si barrikadë ta vendosin një grua të cilën mendoj çdo ditë e më shumë po e deligjitimojnë dhe po e dëmtojnë edhe më shumë reputacionin e saj”, deklaroi Abelard Tahiri nga PDK.

Lidhja Demokratike u pozicionua kundër idesë për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme në të njëjtën kohë me ato lokale për datën e të cilave Presidentja Vjosa Osmani do të vendosë së shpejti.

“Duhet të bëhet konstituuimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor sepse nuk mund të priten as edhe ndryshime të mëdha”, u shpreh Hykmete Bajrami.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur me 15 prill dhe po vazhdon çdo 48 orë. Deri më tani kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës, që është konfirmimi i mandateve dhe betimi i deputetëve.

Ndërsa kanë mbetur edhe dy pika të tjera, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit në mënyrë që legjislatura e nëntë të konsiderohet e konstituuar dhe të fillojnë afatet për votimin e Qeverisë. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos