Ligji për Dhomat e Specializuara është diskutuar në takimin e Kryesisë së Kuvendit së Kuvendit të Kosovës. Pas përfundimit të saj u theksua përfundimi i afati katërjavor për procedimin e raportit lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, pas mbledhjes Kryesisë, tha se Kuvendi ka kërkuar opinion nga drejtoria ligjore për veprimet e mëtejshme, pasi Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh pasoja në rast të tejkalimit të afatit.
“Sa i përket ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion për veprimin e radhës, shkak të rregullores së kuvendit, pas kthimit të një ligji, komisioni përkatës ka katër javë për të proceduar raportin. Afati ka përfunduar dhe nga drejtoria ligjore është kërkuar se çka ndodhë nëse afati kalohet, sepse e dini që nuk parashihet ndonjë pasojë se çka ndodhë nëse nuk kemi një vendim sipas afateve”.
Haxhiu foli edhe për procedimin e draftit të ri gjatë kësaj jave, duke theksuar se përmbajtja e tij do të diskutohet pasi të procedohet. Haxhiu theksoi se pengesat lidhur me këtë çështje kanë qenë vetëm të natyrës procedurale dhe jo përmbajtësore.
“Sipas informacioneve që i kam, një nismë e re do të procedohet brenda kësaj jave, se çka përmban ajo do të diskutojmë kur ajo të procedohet. Duhet ta theksoj se në raport me këtë çështje nuk kemi pasur ndonjë problem përmbajtësorë, çështjet kanë qenë plotësisht të natyrës procedurale. Do të ketë një draft të ri në raport me çështjen e vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale”.
Ndërkohë, Haxhiu paralajmëroi se Kuvendi së shpejti do të angazhojë një mekanizëm institucional që do të merret me mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale. Ajo tha se grupi punues po vazhdon hartimin e strategjisë, ndërsa kritikoi Avokatin e Popullit pranë Gjykatës Speciale, duke vlerësuar se nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij.
“Sa i përket draftit të strategjisë, natyrisht se grupi punues po punon, Kuvendi aty është i përfaqësuar, përveç grupeve parlamentare, edhe unë kam deleguar përfaqësuesin në këtë grup. Puna po vazhdon, shumë shpejt do ta kemi strategjinë. Puna e Kuvendit këtu është shumë i rëndësishëm për shkak të mekanizmit mbikëqyrës. Gjithmonë kemi folur për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, fatkeqësisht Avokati i Popullit atje nuk e ka kryer punën e tyre. Këtë çështje e kam ngritur edhe kur kam qenë ministre e Drejtësisë, nuk ka pasur asnjëherë reflektime. Kuvendi shumë shpejt do të angazhojë institucion mekanizëm që do të merret me këtë përgjegjësi”. (A2 Televizion)