
Një ambient nëntokësor, me hyrje të kamufluar, i përshtatur për kultivimin e kanabisit me llamba dhe për përpunimin e narkotikëve, është zbuluar në zonën e “Kanalit të Drinit”, në Shkodër.
Në operacionin e koduar “Labirinti”, policia arrestoi 10 persona, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit u sekuestruan rreth 2 600 bimë kanabis të kultivuara në vazo dhe 170 kilogramë kanabis i përpunuar, i ambalazhuar në 10 thasë.
Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
DVP Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Labirinti”.
Zbulohet një ambient nëntokësor me hyrje të kamufluar, i përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave dhe për përpunimin e lëndës narkotike.
Arrestohen në flagrancë 10 shtetas, njëri prej të cilëve rezulton i shpallur në kërkim nga DVP Shkodër.
Sekuestrohen rreth 2 600 bimë kanabis të kultivuara në vazo dhe 170 kg lëndë narkotike kanabis e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Labirinti”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u ushtruan kontrolle në dy objekte në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”.
Gjatë kontrollit në njërin prej objekteve, një magazinë, shërbimet e Policisë zbuluan një hyrje të kamufluar që të çonte në një ambient nëntokësor. Ambienti ishte i ndarë në dy pjesë, njëra e përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave dhe tjetra për përpunimin e lëndës narkotike.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë 10 shtetasit e konstatuar në këtë ambient:
-D. K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, të dyja banuese në Gjirokastër;
-A. K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, të tre banues në Cërrik;
-A. G., 37 vjeç, banues në Tiranë;
-A. L., 46 vjeç, banues në Poliçan;
-F. L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, të dy banues në Ishull-Lezhë;
- E. T., 25 vjeç, banues në Mirditë.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. L., 46 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga DVP Shkodër.
Gjatë kontrollit në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, si dhe 170 kg lëndë bimore e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
(A2 Televizion)