Përpjekja e dymbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit që do të mbahet mëngjesin e së mërkurës vështirë se do të sjellë rezultate ndryshe.
Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se Albulena Haxhiu do të jetë sërish kandidate për kryeparlamentare, ndërsa PDK konfirmoi votën kundër.
Të martën, Vetëvendosje solli shembullin e zgjedhjes së kancelarit gjerman Friedrich Merz me votim të fshehtë si formë demokratike e zgjidhjes së ngërçit edhe në Kosovë.
Sipas VV-së, bllokada që opozita po vazhdon t’ia bëjë konstituimit të Kuvendit është jashtë çdo arsyeje.
“Urojmë që të reflektohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, sidomos kur vjen puna te votimi i kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Jemi duke bërë maksimumin që është në dorën tonë për të dal nga kjo situatë”, tha Artan Abrashi, deputet, LVV.
Partia Demokratike pritet të mbajë të njëjtin qëndrim si në propozimin për votim të fshehtë, ashtu edhe për kandidaturën e Albulena Haxhiut, e që është kundër në të dy rastet.
“Juridikisht ne jemi në pritje për të marrë dhe menaxhuar pjesën që na takon nga Kushtetuta. Nuk komentoj deklarata dhe letra të askujt pasi janë të dedikuar për një subjekt tjetër dhe nuk hyj në atë temë. Ne kemi konsistencë në këtë dhe kemi dhënë qëndrimet pse nuk e votojmë [v.j. Albulena Haxhiun] dhe këtu nuk ka asnjë ndryshim dhe se besoj kurrë se do të ketë ndonjë ndryshim”, u shpreh Ferat Shala, deputet, PDK.
Që nga 15 prilli, deputetët në Kosovë mblidhen çdo 48 orë në tentativa për të konstituuar Kuvendin e më pas për të zgjedhur edhe Qeverinë e re.
Përpjekjet për të sjellë një zgjidhje për ngërçin nuk kanë pasur asnjë sukses me partitë që akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim. (A2 Televizion)