U qëllua me vezë në Kuvend, Kurti: Nëse ky është çmimi për marrëveshje, e paguaj. Të evitojmë zgjedhje të reja

Nga A2 CNN
8 Gusht 2026, 14:20 | Politikë

U qëllua me vezë në Kuvend, Kurti: Nëse ky është

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi pas tensioneve dhe përplasjeve në seancën e sotme të Kuvendit. Në një deklaratë për mediat  pas ndërprerjes së seancës, ku ai u godit me vezë nga deputetja e opozitës Time Kadrijaj, Kurti tha se nëse sulmi me vezë është çmimi që opozita të ulet në tryezë, atëherë ai e pranon.

“Vazhdimi i seancës përcaktohet nga kryesuesi i seancës e cila ka filluar, por përfundon atëherë kur të zgjidhet kryetari dhe 5 nënkryetarët. Edhe nëse bëhen aksione të tilla kundër meje, unë nuk jam këtu për veten time, jam për Kosovën, kërkojnë të ulemi bashkë dhe për Kosovën të bëjmë marrëveshje. Nëse gjuajta me vezë dhe goditja e pantallonave të kryeministrit, është çmimi që unë duhet të paguajë në mënyrë që ata të ulen e të bisedojmë, jam i lumtur ta paguaj. Vetëm të vijnë në takim. Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, unë ankohem që ata s’duan të takohen”, tha Kurti.

Ai theksoi se nuk dëshiron zgjedhje të tjera, duke u bërë thirrje partive të takohen dhe të arrijnë një marrëveshje. Sipas Kurtit, përsëritja e zgjedhjeve nuk ka vlerë as për popullin dhe as për buxhetin e shtetit.

“Kemi nevojë për takime, për marrëveshje, në mënyrë që kur të vijmë sërish këtu pas pak muajsh, të mos vijmë në një seancë për zgjedhjen e presidentit, ku dy kolonat e deputetëve të tjerë janë të zbrazura. Duhet të evitojmë zgjedhje të reja. Unë po kërkoj marrëveshje politike për një president pas dy muajsh. Pas 60 ditësh e kemi presidentin, çfarë të bëjmë? Dihet tani, me metodën e njëjtë nuk mund të presim rezultate të tjera. I bëj thirrje partive të takohemi dhe të merremi vesh, sepse nuk ia vlen, as për buxhetin, as për shtetin dhe as për popullin, përsëritja e zgjedhjeve. Çfarë kuptimi ka të përsërisim zgjedhjet kur programi dhe njerëzit janë të njëjtë? Kemi kohë, por duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht”, u shpreh Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos