Në një kohë të paqartë politike në lidhje me krijimin e institucioneve qendrore, Kosova ka hyrë në një proces të rëndësishëm zgjedhor, atë për kryetarë komunash dhe kuvende komunale.
Të mërkurën nisi votimi me postë për zgjedhjet lokale ku rreth 44 mijë shtetas të regjistruar do të kenë 25 ditë kohë, deri më 11 tetor, për të votuar.
KQZ ka nisur me shpërndarjen e pakove individuale me fletëvotime përmes postës.
“Deri më sot në orën 13:00 janë kompletuar rreth 15 mijë pako individuale me fletëvotime dhe sipas konfirmimit nga Posta dhe Telekomi i Kosovës rreth 10 mijë pako tashmë janë dërguar jashtë Kosovës ku pjesa më e madhe e tyre janë për shtetet Austri dhe Gjermani”, tha për A2 CNN, Besnik Buzhala nga KQZ në Kosovë.
Pakot individuale që përmbajnë dy fletëvotime, njëra për votimin për kryetarë komune dhe tjetra për anëtarët për kuvende komunale, udhëzimet dhe zarfet e fshehtësisë pritet të shpërndahen brenda javës tek të gjithë votuesit.
“Sipas tempos aktuale qysh e kemi normalisht që ditën e parë ka qenë më i ngadalshëm sepse kjo mënyrë e përgatitjes së pakove është për herë të parë që bëhet prej KQZ dhe dita e parë që ka qenë më e ngadalshme, por sigurisht që ky proces do të shkojë shumë më shpejtë në ditët në vijim”, shtoi Buzhala.
Në këtë mbledhje, KQZ konfirmoi adresat e kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës. Sipas tyre, kutitë postare janë funksionale në 23 shtete të ndryshme.
“Të gjitha këto kuti postare ashtu siç ka qenë edhe kërkesa jonë si KQZ që të hapen në kryeqytete dhe kështu po ndodh përjashtimisht disa vende për të cilat fokusi është më i madh i institucioneve, ambasadave të Kosovës në ato qytete”, tha për A2 CNN, Arianit Elshani nga KQZ.
Zgjedhjet lokale në territorin e Kosovës do të mbahen më 12 tetor, ndërsa raundi i dytë katër javë më pas. (A2 Televizion)