Për herë të tretë në një vit, qytetarët e Kosovës u drejtohen kutive të votimit, pas një bllokade politike disa mujore që çoi në shpërndarje të Parlamentit dhe la një vrimë 1 miliardë eurosh në financat e lëkundura të shtetit.
Partia Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet e shkurtit, por dështoi të sigurojë shumicën apo të krijojë një koalicion pas një fushate agresive. Shumë druhen se një përsëritje e skenarit mund të zhysë shtetin më të ri të Europës edhe më thellë në krizë, vetëm 4 muaj para se Parlamenti të votojë për Presidentin e ri.
Artan Muhaxheri tha: “Këto zgjedhje do të jenë më të rëndësishmet në historinë e kohëve të fundit të Kosovës, sepse po vijnë pas një viti bllokimi, por edhe katër muaj para se të zgjidhet një president i ri. Prandaj, ato janë një provë e madhe për të gjithë klasën politike të Kosovës që të jenë shumë më të vetëdijshme për pikën historike me të cilën po përballen”.
Sondazhet nuk bëhen publike në Kosovë, kështu ka pak sinjale se si do të shkojë votimi. Por, gjasat janë të pakta që ndonjë nga partitë e mëdha opozitare të ketë vullnetin për të krijuar një qeveri me Kurtin, për të cilin thonë se ka rritur tensionet me komunitetin serb në veri, ka bërë shumë pak për të përmirësuar standardet e jetesës dhe ka prishur reputacionin e Kosovës jashtë vendit.
Bedri Hamza deklaroi: "Kosova nuk e ka më luksin të kryejë eksperimente politike. Në vitet e fundit, na është premtuar shumë, por është bërë shumë pak. U bënë premtime të mëdha, por rezultatet kanë qenë shumë të vogla. Ata folën për drejtësi, por krijuan pasiguri. Ata folën për zhvillim, por çmimet u rritën dhe kostoja e jetesa u bë më e shtrenjtë. Ata folën për sovranitet, por aleancat u dobësuan. Kjo nuk është qeverisje, ky është improvizim."
Lumir abdixhiku tha: “Kosova jonë nuk e meriton këtë realitet”.
Artan Muhaxheri u shpreh: “Gjithçka do të varet nga përqindja që do të fitojë Z. Kurti në zgjedhjet e reja, sepse të gjitha sondazhet tentojnë të tregojnë se ai do t’i fitojë përsëri zgjedhjet, por ndryshimi më i madh do të jetë përqindja. Nëse ai fiton përsëri rreth 42%, atëherë i gjithë ky bllokim do të përsëritet përsëri, sepse hendeku midis Z. Kurti dhe partive të tjera është i madh, i pakapërcyeshëm.”
Kurti, i cili ka ardhur në pushtet në vitin 2021, fajëson opozitën për ngërçin dhe mbetet optimist për sigurimin e 500 mijë zemrave të nevojshme për një shumicë të qartë në Parlament. Në fushatë ka premtuar të rrisë rrogat, të shpenzojë 1 miliardë euro në vit për investime kapitale dhe të krijojë një njësi të re prokurorisë për të luftuar krimin e organizuar.
E megjithatë, kali i betejës për Kurtin mbetet shtrirja e sovranitetit në very: “Ne po e shtrijmë sigurinë në çdo pjesë të territorit tonë, me rend, me ligj, me sovranitet, me integritet territorial dhe me Kushtetutë. Jemi krenarë që e kemi bërë këtë së bashku. Ju falënderoj të gjithëve, secilin prej jush, për mbështetjen dhe durimin tuaj”.
Paqendrueshmëria politike e ka shoqëruar Kosovën që prej shpalljes së pavarësisë, dhe mandati i kaluar i qeverisë Kurti ishte i pari zgjati në afat të plotë prej 4 vitesh. Mungesa e stabilitetit politik u ekspozua më shumë se kurrë këti vit, kur ligjvënësve ju desh të votonin 73 herë për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit.
Por, as atëherë Kurti nuk arriti të bënte një koalicion, duke ia lënë stafetën aleatit dhe nënskryearti të partisë Glauk Konjufca. Kur edhe ai dështoi, Presidentja Vjosa Osmani shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e reja.
Liridon Gajtani tha: “Nuk është diçka e mirë që zgjedhjet mbahen kaq shpesh. Do të ishte më mirë që palët të uleshin dhe të arrinin një marrëvesje, dhe më pas të kishim një qeveri për një kohë më të gjatë”.
Rezultati i ngërçit politik ka qenë i rëndë për financat e Kosovës, të cilat u goditen nga sanksionet e Bashkimit Evropian, të vendosura për shkak të asaj që BE-ja e cilësoi si rolin e Kurtit në nxitjen e tensioneve me serbët në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën.
BE ka thënë se do t’i heqë këto masa pasi kryetarët serbë u betuan në detyrë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor. Megjithatë, rreth 880 milionë euro fonde të BE-së për buxhetin e Kosovës janë vonuar, po ashtu edhe 127 milionë euro mbështetje financiare nga Banka Botërore, përfshirë fonde të destinuara për forcimin e sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit.
Këto fonde janë urgjentisht të nevojshme në një nga vendet më të varfra të Evropës, që mbetet pas fqinjëve të saj ballkanikë në të dy këta sektorë. Banka Botërore i tha agejncisë se lajmeve Reuters-it se 90 milionë euro nga kjo mbështetje do të anulohen nëse nuk ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës deri më 13 shkurt.
Afatet për pjesën tjetër janë në prill dhe maj. Edhe një pjesë e fondeve të BE-së mund të jetë në rrezik, kanë paralajmëruar politikanë. Një proces zgjedhor pa rezultat të qartë mund t’i rrezikojë të gjitha këto fonde nëse Kuvendi nuk formohet shpejt. (A2 Televizion)