Debati për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë vlerësohet se u shfrytëzua për të larguar vëmendjen nga dështimi i anëtarësimit në Këshill të Evropës.
Analistët politikë e shohin të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme gjatë muajve të verës ndërsa i quajnë të padobishme që të ketë proces në vjeshtë, pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta.
“Kryeministrit Kurti i duhej një zhvendosje e vëmendjes nga dështimi në KiE prandaj edhe opozita, kryesisht PDK çuditërisht ia dha një aset politik në mënyrë që të krijohej një debat i ri në publik për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja”, thotw Artan Muhaxhiri.
“Mendoj se edhe kërkesa e partive opozitare që të ketë zgjedhje në këtë moment është e pasinqertë e po ashtu edhe nga ana e kryeministrit është një taktikë pas këtyre dështimeve që i patëm në rrugën e Kosovës për anëtarësim në KiE”, shprehet Fidan Ukaj
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike kërkuan që zgjedhjet të vinin si rezultat i shpërndarjes së Parlamentit, mirëpo LDK dhe AAK kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Por, në rast te mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, kujt do t’i shkonin më shumë për shtati, pushtetit apo opozitës?
“Zgjedhjet e parakohshme aktualisht do t’i leverdisnin opozitës sepse kryeminsiti Kurti përpos dështimit në KiE nuk ka ndonjë sukses të madh në skenën e brendshme politike apo ekonomike, raportet me aleatët tanë janë të dëmtuara maksimalisht”, thekson Muhaxhiri.
Partia Demokratike e Kosovës konfirmoi se do të tentojnë deri të enjten për të arritur një dakordim me të gjithë partitë për të shkuar në zgjedhje. (A2 Televizion)