Zgjedhjet në Kosovë, nuk ka asnjë koalicion të regjistruar për parlamentaret e 9 shkurtit

Nga A2 CNN
26 Gusht 2024, 19:25 | Politikë

Partitë politike në Kosovë kanë afat deri më 30 gusht që të finalizojnë koalicionet për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, deri në momentin që rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen.

Kur kanë mbetur vetëm tre ditë deri në përfundim të afateve ligjore, edhe për kundër faktit se disa parti politike, kanë finalizuar koalicionet, ato nuk i kanë dërguat për ti regjistruar në KQZ. Kështu ka deklaruar për A2 CNN, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, duke theksuar faktin se nuk do të ketë shtyrje përtej afateve ligjore.

Për sa i përket afateve të tjera, Elezi thotë se partitë që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje duhet, ta paraqesin kërkesën deri më 30 gusht. Kurse për sa i përket procesit të votimit të diasporës, zëdhënësi i KQZ-së thekson "se ky proces do të zhvillohet të shtunën me 8 shkurt në selitë diplomatike të Kosovës".

Sipas ligjit të ri për zgjedhjet, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje. KQZ-ja, i’u ka bërë të qartë partive dhe koalicioneve se nuk mund të shpenzojnë, më shumë se 2 milion euro gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos