Me maska në kokë dhe pa armë në duar, rrethuan hyrjen në godinën e qeverisë së Kosovës. Njësia speciale intervenuese dhe njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive, protestuan në Prishtinë për të kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.
“Jemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike
Një nga pjesëtarët e njësive elitare fitoi kryeministrin Albin Kurti dhe ekzekutivin e tij që të marrin masa konkrete për realizimin e kërkesave, përfshirë që rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.
“Mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste në të kaluarën dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më datën 24 shtator 2023. Prandaj, nuk zmbrapsemi asnjëherë pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara”, tha ai.
Paralajmërimi për mos plotësimin e kërkesave ishte ky: “Ne jemi unik në kërkesat tona sepse janë kërkesa legjitime dhe të nevojës urgjente dhe nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre.”
Operatorët e këtyre dy njësive janë të specializuara dhe certifikuara ndërkombëtarisht në luftën kundër terrorizmit, në lirimin e pengjeve si dhe në rastet kur cenohet siguria kombëtare. Qeveria e Kosovës prezantoi së fundmi projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, në të cilin përcaktoi që shtesat për rrezikshmërinë për forcat policore të jenë 150 euro mbi pagën bazë. Projektbuxheti, i miratuar nga kabineti Kurti, kap vlerën e 3 miliardë eurove. Kryeministri tha se po i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes dhe sigurisë. (A2 Televizion)