5-vjeçari drejt përmirësimit, paralajmërohet tërheqja e licencave për ekspertët e QPS

Nga Ideal Gola
19 Mars 2026, 23:25 | Sociale

Gjendja shëndetësore e 5-vjeçarit, i cili ishte dhunuar nga prindërit me probleme mendore në Lipjan, është përmirësuar. 

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se Klinika e Pediatrisë dhe institucionet e tjera janë duke ofruar shërbimin e nevojshëm mjekësor: “Për shkak të gjendjes së rënduar sidomos në njërën shputë është bërë një intervenim në mes krirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë, ka dalë nga salla fillimisht i intubuar por pastaj është qetësuar shumë shpejtë. Sot është gjendja stabile, ka filluar pak edhe komunikimin verbal, gjendja është më mire, ka pasur një anemi të lehtë”.

Sipas ministrit Vitia, shqetësim mbetet gjendja psikologjike e fëmijës për të cilin po kujdesen me një ekip psikologësh, pasi edhe për kundër moshës 5-vjeçare ai komunikon shumë pak, shkruan A2.

“Pjesa psiko-sociale e fëmijës shihet se fatkeqësisht ka qenë për shumë kohë në një ambient toksik, mos të themi komplet abuziv”, tha ministri.

Ministria e Punës dhe Familjes ka pranuar raportin preliminar për rastin e familjes 9-anëtarëshe në Lipjan. 

Ministri Andin Hoti tha se nuk kanë të drejtë të heqin licencën për Qendrën për Punë Sociale, por për të gjithë të angazhaurit aty do të marrin masa në rast se konfirmohen shkeljet: “Në momentin që ne e pranojmë raportin përfundimtar nga njësia e inspektimit dhe nëse konstatohen vërtetë shkelje nga Qendra për Punë Sociale ju siguroj që do të merren të gjitha masat ligjore që janë kompetencë timen, përfshirë edhe revokimin e licencave për individët që punojnë në atë QPS”.

Hoti tha se rasti i kësaj familje ka qenë i njohur për Qendrën për Punë Sociale që nga viti 2013. Ai konfirmoi se vite më parë, shteti i kishte marr fëmijët, por në vitin 2023 i ishin kthyer prindërve me vendim gjykate, e cila paraprakisht kishte mar rekomandim nga Qendra për Punë Sociale e Lipjanit për një gjë të tillë. 

Ministri tha se është e paqartë pse kjo qendër bëri rekomandim për t’i kthyer fëmijët te prindërit: “Më 25.09.2023 iu ka kthy e drejta e prindërve për fëmijët, në bazë të një raporti apo një analize që QPS e Lipjanit e ka bërë, nuk e kam raportin premilimnar pse e kanë marr këtë veprim, analizat pse ka rezultuar në këtë veprim”.

Opinoni publik është tronditur nga rasti në Lipjan. Të dy prindërit po mbahen në paraburgim, ndërsa 6 fëmijët e tjerë janë strehuar nga shteti dhe po marrin shërbimet e nevojshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos