Shqipëria drejt turizmit mjekësor: Ekspertët ndërkombëtarë diskutojnë potencialin e vendit

Nga A2 CNN
14 Mars 2026, 19:11 | Sociale

Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një vend me potencial të madh për zhvillimin e turizmit mjekësor dhe atij shëndetësor në rajon. Në një forum të zhvilluar në Universitetin Barleti në Tiranë, ekspertë nga fusha e shëndetësisë, turizmit, akademisë dhe sektorit privat diskutuan mbi mundësitë që vendi ynë ka për t’u pozicionuar si një destinacion i besueshëm për pacientët ndërkombëtarë.

Forumi u organizua në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë si Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation (Mbretëria e Bashkuar), Temos International (Gjermani) dhe Shoqata Shqiptare e Turizmit Mjekësor, duke vënë theksin te rëndësia e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat.

Sipas ekspertëve, zhvillimi i turizmit mjekësor nuk lidhet vetëm me ofrimin e trajtimeve shëndetësore, por edhe me ndërtimin e besimit ndërkombëtar, sigurinë e pacientit dhe përvojën cilësore që ofron vendi pritës.

Në këtë kuadër u prezantua edhe programi Global Healthcare Tourism Leadership, i cili synon të forcojë kapacitetet profesionale dhe të promovojë praktikat më të mira ndërkombëtare në sektorin e turizmit shëndetësor.

Ambicia e përbashkët është që Shqipëria të pozicionohet si një qendër konkurruese dhe e besueshme për turizmin mjekësor dhe shëndetësor në Evropën Juglindore, duke kombinuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore me mikpritjen e njohur shqiptare.

Folësit në forum

            •           Dr. Claudia Mika, CEO – Temos International

            •           Dr. Merita Osmani, CEO – Albanian Medical Tourism Association

            •           Dr. Asaad Riad, ekspert global i turizmit shëndetësor

            •           Prof. Dr. Alaa Garad, President – Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation (MB)

Forumi prezantoi gjithashtu programin Global Healthcare Tourism Leadership (GHTL), i cili do të zhvillohet në Shqipëri nga 30 mars deri më 4 prill 2026.

Pjesëmarrësit nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit, si edhe audienca e A2 CNN dhe emisionit “Diagnozë”, do të kenë mundësinë të përfitojnë një bursë prej 50% për programin, duke vendosur kodin A2CNN emisioni “Diagnozë” në formularin e regjistrimit.

Më shumë informacion dhe regjistrimi gjenden në:
https://stirlingcentre.org.uk/ghtl/
WhatsApp: +44 7400 952 147

Ne zhvilluam intervistën me Prof. Dr. Alaa Garad i cili është President i Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation në Mbretërinë e Bashkuar. Ai është një ekspert i njohur ndërkombëtarisht në menaxhimin e cilësisë, ekselencën organizative dhe strategjitë e të mësuarit, me mbi 30 vite eksperiencë në drejtim ekzekutiv dhe akademik. Prof. Garad është autor i disa librave dhe qindra artikujve shkencorë dhe ka mbajtur role drejtuese në institucione akademike dhe organizata ndërkombëtare.

Freskida Miloti: Pse Shqipëria po tërheq sot vëmendje si një destinacion i mundshëm për turizmin mjekësor?

Prof. Dr. Alaa Garad: Në fakt, Shqipëria ka tërhequr vëmendje këto kohë jo vetëm në Europë, por edhe në pjesë të tjera të botës. Do të thosha për tre arsye.

Së pari, për arsimin profesional dhe akademik në fushën e mjekësisë. Shqipëria ka mjekë shumë mirë të trajnuar dhe shumë prej tyre janë trajnuar gjithashtu për të punuar në nivel ndërkombëtar, kështu që vendi ka kapacitete të forta profesionale.

Së dyti, është shumë e përshtatshme në aspektin ekonomik, për sa i përket kostos dhe raportit cilësi-çmim. Është shumë më e përballueshme sesa vendet e tjera europiane.

Arsyeja e tretë është natyra dhe mjedisi i bukur për rikuperim. Njerëzit mund të kryejnë ndërhyrjet e tyre mjekësore dhe të marrin shërbimin shëndetësor, por në të njëjtën kohë mund të shijojnë natyrën, ushqimin dhe kuzhinën.

Këto janë tre arsye që e bëjnë Shqipërinë unike dhe të veçantë.

Freskida Miloti:Nga një perspektivë ndërkombëtare, cilat janë standardet kryesore që një vend duhet të përmbushë për t’u bërë një qendër e besueshme për turizmin mjekësor?

Prof. Dr. Alaa Garad: Pacienti që udhëton për shërbim shëndetësor nuk shkon vetëm për trajtim, ai shkon për besim. Dhe për të fituar këtë besim, ofruesit e shërbimeve të turizmit mjekësor duhet të fokusohen te akreditimi i cilësisë dhe ekselenca në kujdesin shëndetësor, si dhe të certifikohen nga organizma ndërkombëtarë të akreditimit, si për shembull TIMOS International ose Joint Commission International.

Nuk janë shumë në numër, por janë ofruesit më cilësorë të akreditimit, dhe unë do të thosha se kjo është një domosdoshmëri për ofruesit e shërbimeve shëndetësore.

Freskida Miloti: Sa të rëndësishme janë cilësia, akreditimi, kujdesi ndaj pacientit dhe siguria për ndërtimin e besimit ndërkombëtar në turizmin shëndetësor?

Prof. Dr. Alaa Garad: Kjo është një pyetje shumë e mirë dhe do të thosha se është thelbësore. Është shumë e rëndësishme dhe themelore. Imagjinoni një pacient që largohet nga vendi i tij dhe udhëton në një vend tjetër, duke vendosur shëndetin dhe jetën e tij në një sistem të ri shëndetësor. Pa besim dhe pa garanci për atë sistem, nuk do të ekzistonte turizëm shëndetësor apo turizëm mjekësor. Prandaj cilësia është vendimtare dhe shumë e rëndësishme, dhe pa të nuk mund të zhvillohet siç duhet turizmi mjekësor.

Freskida Miloti: Përmes programit Global Healthcare Tourism Leadership Program, çfarë ndikimi shpresoni të krijoni në ekosistemin e shëndetësisë dhe turizmit në Shqipëri?

Prof. Dr. Alaa Garad: Pyetje fantastike dhe shumë strategjike. Ne e zhvilluam këtë program parapërgatitor me ekspertë të fushës dhe po sjellim trajnerë dhe specialistë të nivelit të lartë, si për shembull Dr. Claudia Meka. Ajo është CEO e TIMOS International dhe do të zhvillojë kursin këtu në Shqipëri.

Ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë të çlirojë potencialin e saj të madh, sepse vendi ka vërtet shumë potencial. Ajo që nevojitet është më shumë ndërtim kapacitetesh, më shumë akreditim dhe më shumë ndërgjegjësim. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një sistem shëndetësor, është gjithashtu një sistem turizmi. Përfshin agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë, hotelet. Pra është një ekosistem, siç e përmendët edhe ju.

Ne ndihmojmë në lidhjen e këtyre elementeve, sepse njerëzit duan të bëjnë më të mirën, por kanë nevojë të dinë saktësisht çfarë duhet bërë. Ne shpjegojmë se çfarë duhet të bëhet që ky ekosistem të funksionojë së bashku.

Freskida Miloti: Duke parë përpara, a besoni se Shqipëria mund të bëhet një qendër rajonale për turizmin mjekësor në Europën Juglindore?

Prof. Dr. Alaa Garad: Unë personalisht e dua shumë Shqipërinë. Megjithatë, nuk është vetëm për shkak të kësaj.

Objektivisht, unë shoh një potencial shumë të madh për Shqipërinë, me kusht që të vendosim së bashku të gjitha këto elemente dhe t’i strukturojmë në një mënyrë të qëndrueshme.

Blloqet themelore tashmë ekzistojnë. Duhet vetëm një përmirësim i mëtejshëm dhe sigurimi që cilësia të jetë e integruar në sistem, që njerëzit ta kuptojnë dhe ta zbatojnë atë.

Duhet gjithashtu një fokus i fortë te siguria e pacientit, përvoja e pacientit dhe te ekosistemi më i gjerë i mikpritjes, transportit dhe rikuperimit.

Po, Shqipëria ka potencial shumë të madh dhe unë jam shumë optimist për këtë. Me Sterling Center shpresojmë të jemi pjesë e kësaj nisme.

Freskida Miloti: Faleminderit shumë, Profesor Alaa Garad

Prof. Dr. Alaa Garad: Faleminderit. Faleminderit shumë dhe faleminderit audiencës suaj dhe A2 News.

Shqipëria drejt turizmit mjekësor: Ekspertët

Shqipëria drejt turizmit mjekësor: Ekspertët

Shqipëria drejt turizmit mjekësor: Ekspertët

Shqipëria drejt turizmit mjekësor: Ekspertët

Shqipëria drejt turizmit mjekësor: Ekspertët

 

  (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos