Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Dollenberg, ka folur për rrezikun dhe simptomat kryesore të meningjitit gjatë një interviste në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN. Sipas saj, një nga shenjat e para dhe më alarmante është temperatura shumë e lartë, e cila nuk ulet lehtësisht me medikamente të zakonshme, si dhe ngrirja e qafës.
Mjekja theksoi se meningjiti mbetet një ndër sëmundjet më të rrezikshme, me pasoja serioze për shëndetin, sidomos te fëmijët, dhe apeloi për kujdes të shtuar ndaj simptomave si dhe rëndësinë e vaksinimit.
“Meningjiti simptomën e parë të tij ka një temperaturë të lartë që shkon mbi 40 gradë dhe ne nuk arrijmë dot ta ulim me paracetamol apo ibuprofen. Simptoma e dytë e rëndësishme është ngrirja e muskujve të qafës. Fëmijët, sidomos bebat, e kanë të ngurtësuar dhe nuk e lëvizin dot kokën pas, e kanë komplet si dërrasë, mund ta quajmë, qafën, dhe kjo është shenja alarmante për çdo mjek kur e shikon. Ngrirja e qafës, ajo është shenjë e meningitit, duke nënkuptuar se bakteret kanë përfunduar në tru dhe po rrezikojnë jo vetëm anën neurologjike, epilepsitë, dhimbjet e kokës, por mund të çojnë deri në gjendje komatoze të fëmijëve. Meningjiti është me të vërtetë ndër sëmundjet më fatale që ekziston dhe e vetmja kaq vdekjeprurëse dhe me komplikacione të larta, prandaj në Shqipëri kur bëhen ato këshillimet e prindërve, ta marrim vaksinën ose jo, qoftë të fruthit që e kemi përmendur shumë herë, kurse meningjiti u përket sëmundjeve më të rënda. Në Britani adoleshentët e kanë transmetuar përmes cigareve elektronike, përmes pështymës, te tjetri”, u shpreh ajo.
(A2 Televizion)