Krijim kushtesh për vrasje, SPAK kërkon 14 vite burg për biznesmenin Gjoka

Nga Armand Bajrami
26 Shkurt 2026, 19:09 | Kronikë

Krijim kushtesh për vrasje, SPAK kërkon 14 vite burg për

Pëllumb Gjoka, biznesmeni i arrestuar tre vjet më parë nga operacioni “Metamorfoza”, pas sigurimit nga SPAK të komunikimeve të platformës SKY ECC, rrezikon një dënim me 14 vite burg.

SPAK kërkoi këtë masë dënimi në Gjykatën e Posaçme për biznesmenin e pandehur, në pretencën e lexuar në seancën e së enjtes. Sipas Strukturës së Posaçme, bazuar në provat e paraqitura në gjykim dhe komunikimet e siguruara, Gjoka duhet të shpallet fajtor për “sigurim të kushteve për të kryer vrasje” në dëm të Kleant Musabelliut, Dorian Dulit, Genci Tafilit dhe Ibrahim Licit, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Për SPAK, Gjoka është përgjegjës edhe për “grup të strukturuar kriminal”, një episod korrupsioni ndaj ish-prokurorit të Kukësit, Xhevahir Lita, si edhe për “armëmbajtje pa leje”.

Në të njëjtën çështje, SPAK kërkoi fajësi edhe për ish-funksionarin e Policisë, Ardit Hasanbegaj, si dhe një dënim me 9 vite burg. Sipas SPAK, Hasanbegaj akuzohet për “krijim kushtesh” për vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, si edhe për “grup të strukturuar kriminal”, shkruan A2 CNN.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK kërkoi që në masën e dënimit të llogaritej ulja e një të tretës. Gjoka dhe Hasanbegaj u gjykuan të veçuar në Gjykatën e Posaçme. Dosja ndaj tyre u veçua nga gjykata në nëntor 2025, kur për pesë të bashkëpandehurit e tyre – Behar Brajoviç, Astmer Bilali, Edmond Preka, ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-drejtori i Operacionales, Oltion Bistri – u shpall vendimi përfundimtar.

Nga ana tjetër, në një proces tjetër paralel në Gjykatën e Posaçme, Pëllumb Gjoka po i nënshtrohet një gjykimi të zakonshëm, ku akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojt (Boriçi), ndodhur në gusht 2020 në Shkodër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos