Kosova përkujton masakrën e Vushtrisë, Kurti: Dënimi i fajtorëve do sjellë paqe për viktimat

Nga Rosalba Bejdo
2 Maj 2025, 20:42 | Sociale

Kosova ka përkujtuar 26-vjetorin e masakrës serbe në Vushtrri në të cilën mbetën të vrarë 116 shqiptarë. Politika dhe familjarët e viktimave kërkuan drjetësi duke shprehur dhe zhgënjimin e tyre.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vetëm me dënim për ata që kryen këtë masakër familjarët do të gjejnë prehje, dhe paqja do të jetë e qëndrueshme, shkruan A2.

“Strategjia gjenocidale serbe me “Patkoi”, me të cilën Kosova po spastrohej nga shqiptarët, ishte një plan i errët që përfshinte edhe patkoi të vegjël. Një prej tyre ishte edhe këtu në Vushtrri, fshatrat u vunë në rrethim dhe banorët u larguan nga shtëpia. Në mbrëmjen e 2 majit, forcat kriminale serbe filluan terrorin sistematik ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po lëvizte aty në kolon nga Studime e Poshtë në Studime të Epërme. Brenda dy orësh, 116 civilë burra, gra, pleq e fëmijë… Jemi dëshmi e gjallë e forcës së popullit tonë, u jemi mirënjohës juve që e mbani kështu gjallë kujtesën e luftës… Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen, nuk falen. Vetëm me drejtësi për viktimat dhe dënim për kriminelët, familjarët do të gjejnë prehje dhe paqja do të jetë e qëndrueshme”, tha Kurti.

Familjarët e atyre që humbën jetën, përveç dhimbjes që shoqëron humbjen e të dashurve, kanë një tjetër plagë të hapur: pas 26 vjetësh, askush nuk ka marrë dënimin për këtë krim. E mbijetuara e masakrës në Vushtrrisë, Bahrije Gërxhaliu, tregon se ushtria serbe i vrau burrin e saj, bashkë me kunatin e saj. Krahas dhimbjes së madhe që ndjen, e mbijetuara e kësaj masakre ndjehet e zhgënjyer që autorët e këtij krimi nuk janë vënë para drejtësisë.

“Inshalla do t’i bëjë Zoti që ky gjak të mos humbasë, çka jemi si familjarë të zhgënjyer. Vetëm me drejtësinë, sot e 26 vjet ende askush nuk ka dalë para gjyqit për t’u gjykuar ata që e kryen këtë masakër”, thotë Gërxhaliu.

26 vjet më parë, më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 116 civilë të pafajshëm shqiptarë. Viktimat ishin pjesë e qindra njerëzve që kishin marrë rrugën për në Shqipëri. Dëshmitarët patën deklaruar se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos