Sllovenia do të dyfishojë praninë e trupave ushtarake në Kosovë, si pjesë e misionit të KFOR. Njoftimin e dhe kryeministri i Sllovenisë Robert Golob, në fund të samitit të NATO-s në Uashington.
Ai sqaroi se prezenca e Aleancës në Ballkanin Perëndimor po shtohet me iniciativë të presidentit Joe Biden, i cili siç tha, e njeh mirë rajonin.
Golob theksoi se Sllovenia po dërgon trupa shtesë për të parandaluar konflikte të reja në rajonin tradicionalisht të trazuar.
Në KFOR aktualisht shërbejnë rreth 110 pjesëtarë të Forcave të Armatosura Sllovene. Njoftimi vjen pasi NATO shprehu shqetësim për situatën e sigurisë në Kosovë dhe mundësisë së përkeqësimit të saj.
Gjatë samitit në Uashington, një zyrtar I aleancës u bëri thirrje palëve të angazhohen në dialog për gjetje e një zgjidhje politike.
“Në NATO, ne jemi të mendimit që zgjidhja dhe stabilizimi në të ardhmen i situatës së sigurisë do të varet plotësisht nga zgjidhjet politike. E kemi theksuar vazhdimisht nevojën për dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv diplomatik. Po ashtu kemi theksuar nevojën për shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të provokojnë incidente sigurie.”
Sipas zyrtarit, paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë kanë shtuar kapacitetet e tyre, duke rritur numrin e ushtarëve nga 3700 në 4600 paqeruajtës. Po ashtu kanë katërfishuar praninë e tyre në pjesën veriore të Kosovës dhe kanë trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. (A2 Televizion)