Në rajonin e Ballkanit perëndimor do të shpërthejë një luftë e gjithanëshme. Është paralajmërimi që vjen nga Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një intervistë të dhënë për median kroate Vecernji List.
Sipas kryediplomates së Kosovës, diçka e tillë do të ndodhë për shkak të tolerimit që perëndimi po i bën presidentit serb Aleskandër Vucic, i cili siç thotë është dora e zgjatur e Putinit në Ballkan.
“Vuçiç është zgjatim i dorës së Putinit dhe nëse Perëndimi vazhdon t’i tolerojë veprimet e tij, në rajon do të shpërthejë një luftë e gjithanshme.”
Sulmi i 24 shtatorit në Bansjkë sipas ministres së jashtme, ishte testi i parë serioz i Rusisë për Perëndimin.
Ndërsa NATO u përgjigj në mënyrë të menjëhershëm edhe të qartë, me rritje të trupave ushtarake dhe patrullimeve, qëndrimi i BE sipas saj, mbetet i paqartë.
Gërvalla vijon më tej, se Vuçiç ka bllokuar procesin e dialogut në Bruksel, pasi nuk është i interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit.
“Ky është thelbi i problemit, sepse dialogu mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse të dyja palët duan rezultate. Nëse pala tjetër as që mendon të arrijë rezultate, si Aleksandër Vuçiç, atëherë koha e investuar është e humbur.”
Gërvalla theksoi se Kosova është e përkushtuar të përmbushë atë për të cilën është rënë dakord në Bruksel por jo në mënyrë të njëanshme. (A2 Televizion)