Zveçla: Të izolohet qeveria e Serbisë derisa Vuçiç të marrë masa ndaj ministres Paunoviç

Nga A2 CNN
18 Korrik 2026, 16:50 | Kosova

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla kërkon nga ndërkombëtarët izolimin e Presidentit serb Vuçiç derisa ky i fundit të marrë masa ndaj ministres Paunoviç, lidhur me deklaratat e saj tronditëse se po të kishte qenë në vend të Millosheviçit do të kryente spastrim etnik në Kosovë.

Në një lidhje Live për emisionin “Ditari i Fundjavës” nga Denisa Pasholli në A2CNN, Zveçla e konsideroi të butë qëndrimin e deritanishëm të BE-së. Po ashtu ai vuri në dukje se Vuçiç duhet jo vetëm ta shkarkonte Paunoviçin, por ajo të shkonte për ndjekje penale.

Sa i takon bashkësisë ndërkombëtare unë ende mendoj se është një reagim i butë, do të duhej një izolim i qeverisë së Serbisë, derisa nuk ndërmerr masa ndaj pjesëtarëve të saj, për gjuhën, sjelljen e tyre, në raport me popullin shqiptar, dhe në raport me standardet europiane”, tha Zveçla.

Deklaratat e tyre shkelin edhe vlerat më bazike të Perëndimit, aty ku aspirojmë të integrohemi, BE dhe NATO. Një deklaratë e tipit ‘kjo gjuhë s’është e pranueshme për Europën’, nuk mjafton. Vuçiç deklarimin e ka vetëm verbal. Minimumi çfarë pritet prej tij është shkarkimi i zv.kryeministrit dhe ministres, patjetër edhe ndjekja penale”, vijoi ministri i Brendshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos