
Enver Mehmeti, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, në një lidhje direkte me “Dita jonë” në A2, deklaroi se “sapo turizmi kishte arritur të rritej dhe të jepte efekt në GDP, tërmeti dhe pandemia e vunë në vështirësi”.
“Kufijtë e mbyllura kanë prishur të gjitha planifikimet. Industria e turizmit ka humbur edhe 8 muaj përpara, kemi humbur të gjithë investimin e bërë që nga shtatori i vitit 2019, kur të gjithë kontratat e operatorëve janë prishur. Është humbje prej 9 muajsh tani që po flasim”, deklaroi Mehmeti.
Sipas tij, duhet të nisë qarkullimi sa më shpejt: “Të fillojmë të lëvizim vetë. Boll e kemi kufizuar lëvizjen, të hapim mundësinë e shërbimit duke respektuar rregullat, të synojmë të hapim kufijtë tokësorë sepse ato i japin oksigjen kësaj industrie”.
Kur u pyet se sa afatgjata do të jenë pasojat e krizës për turizmin, Mehmeti u shpreh: “Me dëshirë them një vit, por po të jem realist, do të thoja më shumë se dy vite”. (A2 Televizion)