Rama bën reagimin e parë: Fitore e madhe! Të ruhemi nga era dehëse e fitores

Nga A2 CNN
15 Maj 2023, 22:04 | Politikë
Rama bën reagimin e parë: Fitore e madhe! Të ruhemi nga era

Kryeministri Ei Rama bën deklaratën e parë pas fitores në më shumë se 50 Bashki. Ai njoftoi se do bëjë një tur falënderimesh në të gjithë vendin, nga ku do e nis nga Shkodra.

“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar. Duhet të ruhemi nga era e fortë e fitores dehëse. Unë do shkoj shpejt në Shkodër për të nisur një tur falënderimi në të gjithë Shqipërinë, nuk duhet ta harrojë askush, që këto ishin zgjedhje vendore, me një dimension politik të imponuar nga hijet e së shkuarës që tentuan ta tërhiqnin pas dhe e shihnin si aksion revolucionar drejt përmbysjes së qeverisë”, tha Rama.

Rama: KQZ dështoi në mënyrë spektakolare! E kam parashikuar kontestimin e zgjedhjeve nga opozita

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një dështim spektakolar të KQZ, lidhur me mos funksionimin e pajisjes së identifikimit elektronik.

“Zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçante në asnjë aspekt, përveç dështimit spektakolar të KQZ, për të filluar në kohë votimin në 500 qendra, njerëzit ishin në radhë, por nuk votuan. Kjo ishte një gjë e rëndë, tronditëse, për faktin se pajisjet elektronike kanë garantuar një transparencë shumë të më të madhe. Gabim i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm, nuk do e lëmë me kaq, aq më tepër kur pamë skenat e tmerrshme që hidheshin si arka bosh. Miliona euro nga taksat e shqiptarëve”, tha Rama.

Ai shtoi se e priste që opozita do kontestonte rezultatin.

“Sa i përket akuzave të opozitës, unë e kam parashikuar disa herë në takimet e mia, e vetmja gjë unë nuk parashikova ishte shpejtësia në atë që ka qenë pozicioni i përjetshëm i tyre, mohimi i realitetit”, shtoi ai.

Akuzat e ashpra të Greqisë për Belerin, Rama: Do u kthej përgjigje pasi të mbyllin zgjedhjet

Kryeministri Edi Rama tha se fitorja e Fredi Belerit në Himarë është tregues se kjo qeveri dhe PS nuk ka përdorur mjete të jashtëligjshme për të fituar këtë Bashki. Ai tha se gjithashtu vërteton se akuza e ngritur ndaj Belerit nuk është politike.

“Zgjedhjet në Himarë kanë treguar diçka tjetër, që askush nuk do ta vërë re. Janë zhvilluar me qetësi të plotë, është votuar pa asnjë incident dhe asnjë pengesë, aty ka fituar me një grusht votash kandidati kundërshtar me qeverinë. Dhe kjo hedh poshtë totalisht çdo argument se aty është bërë përpjekje për të marrë me metoda ekstra ligjore dhe ekstra elektorale një fitore që s’ka të bëjë me masën e dhënë nga Gjykata me kërkesë të prokurorisë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Nga ana tjetër, komentet e ashpra të bëra nga Greqia, Rama i justifikoi si deklarata që kanë ardhur për shkak se Athina zyrtare është në zgjedhje. Ai tha se do t’i kthejë një përgjigje kur të përfundojnë zgjedhjet atje. Megjithatë, shtoi se Greqia nuk mund të ndërhyjë në drejtësinë shqiptare.

“Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi dhe të mirëkuptoj inflamimin e retorikës duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje sepse kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me qeverinë greke për të ngritur një urë të re bashkëpunimi. Do bëj maksimumin, deri sa të reagoj proporcionalisht. Institucionet e drejtësisë mund të kenë të metat e tyre, por askush që nga unë i pari që s’i kam kontestuar, e lëre pastaj nga jashtë Shqipërisë.

Prokuroria në bashkëpunim me policinë kanë arrestuar një kryetar bashkie dhe një kandidat të PS në Bulqizë për një çështje me një akuzë në thelb se çfarë është. As më ka shkuar mendja që të ngre zërin dhe ti kërkoj prokurorisë dhe gjykatës të nxjerrë provat se kështu dua unë dhe kur dua unë. As nuk më ka shkuar mendja të vë në diskutim punën dhe rolin e tyre as më shkon mendja ta bëj këtë gjë. Nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë dhe një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë me kombësi greke. Është e njëjta kombësi. Kam dëgjuar shumë dhe kam preferuar të mos flas deri në mbarimin e zgjedhje duke shpresuar që pas mbarimit të zgjedhjeve në Greqi do ketë dialog.  Minoritet grek nuk është mish për topat elektoral të askujt, as në Shqipëri as në Greqi”, tha Rama.

Rama: Nuk shoh arsye për të kontestuar rezultatin në Himarë

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se nuk do të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve në Himarë, ku fitoi me një diferencë prej 19 votash Fredi Beleri nga PBDNJ, aktualisht në burg për blerje votash.

Ai tha se PS është siguruar që zgjedhjet në këtë Bashki të jenë të qeta dhe transparente.

“Nuk shoh arsye për të kontestuar rezultatin në Himarë. Duhet të mësohemi që transparencën ta pëlqejmë dhe kur fitojmë. Janë zhvilluar në mënyrën më të lirë, njëri ka problem të hapur me drejtësinë. Për të parën kemi përgjegjësi, në Himarë nuk kemi çuar askënd nga qendra, as drejtuesi i qarkut nuk ka qenë aty. Kjo besoj që është pamja e qartë e përgjegjshmërisë sonë, drejtësia është diçka tjetër”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos