










Kryeministri Edi Rama dhe homologu i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, mbërritën në Kiev, ku do të takohen me presidentin Volodymyr Zelensky.
“Arritëm në Kiev me Edi Ramën për t’i ofruar mbështetje të sinqertë Ukrainës dhe qytetarëve të saj në mbrojtjen e të drejtës për liri! Mali i Zi do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën në këtë kohë të vështirë dhe katastrofë humanitare”, shkroi Abazoviç në një mesazh të shkurtër në Facebook.
Kryeministrin Rama shoqërohet nga ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, Drejtori i Komunikimeve Endri Fuga dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Kryeministri vizitoi fillimisht zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin, si dhe më pas ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase.
Në vijim, Kryeministri Rama dhe homologu i tij i Malit të Zi do të priten në takim nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, takim që do të pasohet nga Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama, Kryeministrit Abazoviç dhe Presidentit Zelensky. Mw pas, Rama dhe Abazoviç do tw takohen edhe me Kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal dhe Kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.
Edhe pse luftimet në Ukrainë zhvillohen kryesisht në lindje të vendit, herë pas here forcat ruse bombardojnë edhe qytete të tjera.
Rusia futi ushtrinë e saj në Ukrainë më 24 shkurt 2022, në atë që quan një “operacion special ushtarak”. Pushtimi i vendit fqinj është dënuar nga pjesa më e madhe e shteteve, ndërsa vendet europiane dhe anëtare të NATO-s, kanë përforcuar masat e sigurisë, përballë këtij agresioni.
Zyrtari i parë shqiptar, i cili vizitoi Kievin pas sulmeve të 24 shkurtit, është kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili më 27 prill, takoi Presidentin e Ukrainës, Zelensky.
Kjo është vizita e dytë e Ramës në Ukrainë, pasi ai ishte në janar të vitit 2020 në Kiev, kur Shqipëria kishte kryesimin e OSBE-së. (A2 Televizion)